Dje në territorin e Kosovës janë raportuar dy raste të keqpërdorimit seksual me të mitur dhe një ngacmim seksual në rrugë.
Rasti i parë i raportuar ka ndodhur në Prishtinë, kur një femër është ngacmuar nga një person në rrugë dhe ai është arrestuar, duke e dërguar në mbajtje, transmeton Koha.net.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar nën dyshimin se i njëjti ka shqetësuar viktimën femër K/Shqiptare e cila ishte në rrugë. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Njësitet policore janë duke hetuar rastin”, sqaron raporti policor.
Në rastin e dytë, nga policia janë arrestuar dy persona në magjistralen Gjilan-Kamenicë, pasi ata janë të dyshuar për keqpërdorim seksual me një të mitur. Të dy janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptar nën dyshimin se të njëjtit kanë keqpërdorur seksualisht viktimën femër K/Shqiptare e mitur. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Njësit përkatëse policore janë duke hetuar rastin”, thuhet më tej në raportin policor.
Kurse rasti i tretë ka ndodhur në Pejë. Atje është arrestuar një mashkull i dyshuar për keqpërdorim seksual me një të mitur.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar nën dyshimin se i njëjti ka keqpërdor seksualisht viktimën femër K/Shqiptare (e mitur). Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, shkruan në raportin policor për 24 orët e fundit.