Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot se është e hapur për propozimin për krijimin e buxhetit të eurozonës dhe funksionin e ministrit të Financave të këtij blloku, për të cilin është shprehur presidenti francez Emmanuel Macron.
“Nuk kam asgjë kundër buxhetit të eurozonës. Mund të bisedojmë për ministrin e Financave të eurozonës”, tha Merkel pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Gjermanisë dhe Francës në Paris.
Merkel dhe Macron thanë se mbajtja e marrëdhënieve të shëndosha me presidentin e SHBA-ve Donald Trump është me rëndësi pavarësisht dallimeve në qëndrime.
Kancelarja gjermane tha se të gjithë pajtohen se është e nevojshme që të ketë bashkëpunim të ngushtë për çështje sigurie me SHBA-të.
Ndryshe, Macron dhe Merkel hapën sot samitin e 19-të vjetor të rregullt të dyja shteteve, ku në qendër të diskutimeve ishte siguria dhe avancimi i projekteve evropiane.