Në festivalin e birrës që është duke u mbajtur në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është plagosur një i mitur, ka konfirmuar policia.
Policia e Kosovës ka thënë se rreth orës 23:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” ka pasur të shtëna me armë. Aty menjëherë kanë dalë policia dhe kanë rrethuar vendin, me ç’rast kanë gjetur disa gëzhoja të plumbave.
Policia thotë se kanë informacion se është plagosur në këmbën e majtë një i mitur 15-vjeçar dhe ai është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare.
Ende nuk dihet si ka ndodhur rasti i të shtënave, por është krijuar panik te qytetarët e shumtë të cilët kishin dalë për të festuar ne festivalin “Beer Fest”.
Manifestimi i cili ishte planifikuar të zgjasë disa orë është ndërprerë para mesnatës.
“Beer Fest” ishte paralajmëruar të zgjasë tri net. Tani organizatorët thonë se do të njoftojnë me kohë nëse ky aheng tradicional, që përcillet me muzikë e pirje birrash, do të anulohet.