Një polic i Kosovës kapet duke transportuar drogë

Prishtinë | 03 Gus 2016 | 15:52 | Nga

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, kanë ndërmarrë operacionin policor, nën dyshimin e bazuar se disa persona të dyshuar po transportonin substancë narkotike, duke kryer me këtë rast veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas realizimit të procedurave hetimore intensive, operacioni policor është zhvilluar në fshatin Shakovicë të Podujevës, me ç’rast janë ndaluar 3 persona të dyshuar, kurse një tjetër është në arrati.

Njëri nga tre personat e dyshuar, tanimë i arrestuar nga policia, është pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në këtë operacion të arrestuar janë personat me inicialet: G. D. (1974), Sh. H. (1968) dhe A. H. (1970), që të tre meshkuj kosovarë shqiptarë.

Me urdhër të Gjykatës Themelore është bërë kontrollimi në pesë lokacione të ndara, dy në Prishtinë dhe tri në Pejë, ku gjatë këtij operacioni si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar:
– dy automjete
– 5200 gramë marihuanë
– dhjetë telefona celularë
– dy revole
– 38 predha
– 2 500 euro

Në asistencë ishin edhe njësitë e DTK-së (Drejtoria e Teknikës Kriminalistike), K9 (Njësiti me qen) si dhe hetues të Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotik-Pejë.

Ndaj të dyshuarve me vendim të prokurorit është caktuar ndalimi prej 48 orëve, për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme