Profesori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ragip Gjoshi, krijimtarisë së vet letrare, publicistike dhe shkencore sot i ka shtuar edhe një vepër letrare. “Rrapi i vendlindjes” titullohet vepra e tij më e re poetike të cilën e ka botuar Shtëpia Botuese “Armagedoni”, nën udhëheqjen e drejtorit të saj Berat Armagedoni, i cili ka shkruar edhe një parathënie të gjatë për të, në të cilën ka analizuar përbërësit poetikë të cikleve Morfologjia e një populli, Morfologjia e një lufte, Morfologjia e një paqeje, Morfologjia e një dashurie. Më poshtë mund ta lexoni parathënien e botuesit dhe disa poezi të autorit.
PO PARATHEM
Në fillim qe kështu
Autori i kësaj vepre me poezi, Ragip Gjoshi, këtë lloj të krijimtarisë artistike ka nisur ta shkruajë dhe ta botojë në moshë të re, kur ndiqte mësimet në Normalen e Prishtinës. Dëshmitë për këtë nisje poetike janë të shumta: ai ka disa fletore me shënime të ndryshme, me kujtime, kryesisht me poezi, të shkurtra dhe të gjata, që ende i ruan në bibliotekën e vet dhe i lexon kohë pas kohe, pranë nipave, me vështrim kritik, me shije tjetër, po me mall të vjetër. Po në këtë bibliotekë ka edhe shumë numra të gazetës Rilindja, të Zërit të Rinisë, të Bujkut e të tjera, në të cilat ka botuar poezi dhe lloje të tjerave të shkrimeve letrare. Disa prej atyre poezive, të shkruara në një variant tjetër, tashmë të ripunuar, i kemi përmbledhur në këtë vepër.
Pse them i kemi përmbledhur?
Sepse Ragip Gjoshi, në një bisedë për lirikën e vet, më tha se disa prej poezive që i rrinë vetëm në revista dhe gazeta që sa vite ka qejf t’i përfshijë në një vepër. Në këtë vepër. Prandaj ai kapi fletoren me poezi shkruar me laps dhe i “zbardhi” ato në “Word” të kompjuterit. Të njëjtën punë bëri edhe për poezitë që kishte botuar në revista dhe gazeta. Ndërkaq, ato poezi të vetat që s’i gjente në numrat e gazetave dhe të revistave që i mungonin në bibliotekën e tij, i gjeja unë në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Dhe, pasi korrëm çfarë kishim për të korrur për një muaj e më tepër kërkim dhe i bëmë bashkë në një dokument të dyja dokumentet, nisëm të diskutojmë për krejt poezitë e tij, për vlerat e tyre. Disa poezi i hoqëm krejt dhe i lamë mënjanë për një tjetër libër, në disa bëmë përmirësime teknike, në ndonjë tjetër thyerje ndryshe të vargut, disa të tjera, me propozimin tim, Gjoshi i veshi me stoli të rënda dhe të lehta, të ndritshme dhe të errëta. Në fund të këtij “manifesti” autori i veprës u tërhoq dhe më la qetë ta bëj punën time prej botuesi: ta shkruaj parathënien, ta thyej teknikisht, ta punoj fytyrën dhe shpinën dhe ta shtyp veprën.
Ndërkohë, kështu
Poezia e Ragip Gjoshit, jo edhe cikli i fundit, vlon prej atdhetarizmit. Edhe pse është letërsi, poezia e tij nuk ka personazhe. Poezia e tij ka persona. Ka njerëz që, për liri të popullit të vet dhe për mbrojtjen e tokës së vet, kanë lënë kokën. Edhe ata që kanë mbetur gjallë janë në gjendje të vdesin për atdhe nëse vendin e tyre e kërcënojnë të tjerët, siç ka lënë kokën për liri Adem Jashari me familje, shumë familje shqiptare të Drenicës, të Dukagjinit, të Pashtrikut, të Llapit e kudo tjetër vend ku është bërë luftë në Kosovë para njëzet vjetësh e para shumë njëzetëshave të tjerë, pas sundimit të gjatë e të egër të pushtuesve të huaj që i shënon historiografia jonë një nga një, secilin më të keq e të egër se tjetrin. Po ashtu, kanë lënë kokën, po në luftë, edhe burrë e grua, heroi Fehmi dhe heroina Xhevë Lladrovci, përkrah e larg tyre edhe shumë luftëtarë të tjerë, të fortë dhe të sertë, për të cilët shkruhet kjo vepër në shenjë nderimi dhe kujtimi për heroizmin e tyre të pashoq.
Lirika atdhetare e Gjoshit ka rrënjë në të vdekurit dhe në të gjallët. Se si duhet dashur dhe mbrojtur atdheu, tregojnë të gjallët që bëjnë me gisht kah të vdekurit, të cilët i nderojnë me gjeste (përkulje), me sende (përmendore, lule, kurora etj.), me fjalë të bukura (poezi) sikurse Gjoshi që, në fillim të veprës së vet poetike, rendit një poezi të gjatë, me titull Poema dardane, me përkushtimin (Popullit tim), të cilit ia numëron betejat për liri dhe jetën bërë ndër male, veçanërisht në vitin 1997, 1998, 1999, kur nisi lufta dhe u shkrep e u shtri në tërë Kosovën dhe nuk u identifikua vetëm me një njeri si disa dekada më parë disa luftëra në territore të Kosovës, kryesisht në Drenicë, po me tërë popullin shqiptar të Kosovës, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Së këndejmi, në këtë poezi, më të gjatën në këtë vepër, e cila shfaq tiparin e atdhetarizmit si askund tjetër, është ADN-ja e popullit shqiptar, përpjekjet shumëvjeçare të tij për pavarësi. Shohim në të se secili pasardhës, i ri dhe i vjetër, i ka detyrat e ndara për ta mbrojtur dhe çliruar popullin dhe atdheun nga sundimi i huaj. Nuk ka nevojë t’u shpjegohen, secilit veç e veç, detyrat. Doracak kanë të tashmen dhe të kaluarën e vet. Kanë rrëfimet e të moçmeve për heroizmin e moshatarëve të tyre për mbrojtjen e atdheut. Daljen ndër male dhe luftën nën male e në fusha e kanë obligim edhe kur flakërojnë çdo gjë para vetes. Edhe veten. Aty diku, në arën e bukës, janë të parët e tyre që, po si fara e re, kanë mbirë pasardhës të zotë:
Këto male janë djegur njëqind herë
njëqind e një herë të tjera më të bukura e të gjata
bërë janë
mund të them se janë mbjellë në ta shqiptarë
fëmijë, pleq, gra
nënë e bijë pranë
babë e bir përbri
mbi ta edhe shumë fëmijë.
Edhe pse duket, për ata që e kanë përjetuar luftën e fundit, të para njëzet vjetësh, këtu asgjë nuk është zmadhuar. Thënë teorikisht, këtu nuk ka hiperbolë. Këtu ka vetëm realitet. Këtë kujtesë kombëtare e kemi të freskët dhe e përjetojmë për çdo ditë teksa, nëse jo ne, bashkëkombësit tanë kërkojnë të pagjeturit e luftës së fundit në tokën tonë dhe në tokën e huaj, të cilët, pasi janë masakruar për së gjalli nga serbët, janë groposur dhe fshehur kush e di se ku. Por, kurdoherë, toka krimet do t’i nxjerrë jashtë sikurse i ka nxjerrë deri më tash, me ndihmën e bashkë-punëtorëve, të miqve, të armiqve e të organizatave ndërkombëtare, shumë mbetje të personave të pagjetur. Ndërkaq, kjo dhembje do të vazhdojë të përjetohet gjatë, edhe të shkruhet më gjatë sesa mund të jetojnë përjetimet e të mbijetuarve:
Kjo tokë kudo ka dhimbje
njolla gjaku kudo ka
gjymtyrë trupi të këputura
edhe eshtra vdekjeprurës
prej atyre që helmojnë si te Gjenerali…
Pastaj, kështu
Ragip Gjoshi pothuajse në çdo poezi përmend tokën, luftën, shkëmbinjtë, gjyshin. Pa dyshim se është i lidhur shumë me vendlindjen, me Kosovën, historinë e së cilës, sidomos atë të para njëzet vjetësh, e tregon nëpërmjet vargjeve. Në këtë vepër poetike të tij ka dromca nga jetëshkrimi i tij, i fisit të tij dhe i popullit të tij. Jo një herë thotë, ashtu sikurse i ndjeri Ali Podrimja pak më ndryshe në poezitë e veta, se këtij vendi ia njeh gëzimet, dhembjet, mërzitë, ëndrrat, ndodhitë, gjithë anatominë dhe morfologjinë. Prandaj, duke pasur këto njohuri fizike dhe psikike për të, bën ndarjen e poezive në këta cikle: Morfologjia e një populli, Morfologjia e një lufte, Morfologjia e një paqeje, Morfologjia e një dashurie. Pra, populli, lufta, paqja dhe dashuria janë bërthamat e vargjeve të tij, të cilat në këtë vepër i gjeni edhe të gjitha bashkë në një poezi, edhe të shpërndara në disa poezi. Tri morfo-logjitë e para kanë strukturë të njëjtë të strofës dhe të vargut të lirë, kurse e katërta dallon prej tyre. Kjo e fundit është poezi më personale dhe familjare sesa të tjerat e mëparshme, pasi në të gjejmë autorin që shkruan, ndër të tjera, poezi edhe për gruan e vet, diçka ashtu sikurse i shkruante Agolli poezi Sadisë për pleqërinë.
Gjoshin, kur ishte në moshën tridhjetëvjeçare, e shqetësonin disa ndodhi të shqiptarëve. Ai është rritur në ato oda në të cilat flitej për gjarpërinjtë e gjakut, pra për hakmarrjen. Në këto oda kishte dëgjuar dhe kishte parë të tjerët teksa i lexonin “nyjet” e Kanunit të Lekë Dukagjinit të cilat, sipas tij, nuk ofronin zgjidhje, po vetëm thellonin të keqen dhe hasmërinë ndër familje shqiptare. Prandaj, ky i ri, edhe pse rrinë me të vjetrit, bën copë-copë Kanunin e Lekës dhe, si një pajtimtar i vjetër, shkon nëpër familje dhe kërkon të shtrihet dora e pajtimit:
Shekulli im disfatën mund
ngadhënjen kundër Lekës së plakur
ia thyen kockat Kanunit
copë-copë e bën portretin e tij.
Poetin e shqetëson edhe historia e popullit të Kosovës kur atë e dëgjon nga të tjerët gjatë udhëtimit nëpër shtete të ndryshme ballkanase, të cilën thonë se e kanë mësuar keq dhe e tregojnë keq, zi e me zi, ballkanasit e vonë, të vjetër dhe të rinj.
Ndërkaq në fund, kështu
Vend në poezinë e tij, siç thamë dhe më parë, ka edhe dashuria për, dikur të dashurën, në kohën kur poeti ishte beqar, ndërkohë edhe për gruan, së cilës, njashtu si popullit të vet, ia njeh të gjitha dhembjet sa herë që ajo i ankohet për shëndetin:
Po mplakemi grua po mplakemi
ditë e natë e ditë për ditë
mbushur jemi thinja dhe rrudha
kështu të vjetra i kemi krejt gjymtyrët.
Poeti, në poezitë e ciklit të parë dhe të dytë, duke përshkruar heroizmin e heroinës Xhevë Lladrovci të treguar në luftë, e cila vritet përkrah burrit duke luftuar përballë armiqve serbë, gruan dhe burrin nuk i dallon as për nga forca fizike, as për nga trimëria. Ai në poezitë e veta rëndësi të madhe i kushton qenies grua, nënës dhe vajzës, ndaj të cilave zgjedh figurat më të bukura stilistike. I keni këtu. Gjejini.
Poezi nga libri “Rrapi i vendlindjes”
Ragip Gjoshi
RRAPI I VENDLINDJES
Është dëshmitar i shumë jetëve
i shumë fatbardhësive
i shumë fatkeqësive
nën hijen e tij më lindi nëna
nën hijen e tij dhe më përkundi
më këndoi këngë gjumi
më dha gji
më dha bukë
më dha ujë
dashuri të madhe më dha nëna
këtu përbri rrapit
ku tash më rriten
bijtë e mi
si plepat
ME DRENICËN MBI SHPINË
Mbrëmë rashë në tokë
në vendin ku ditën shkarkuar kishin rrufetë
aty pashë një ëndërr të bukur
gjithë Drenicën e mbaja mbi shpinë
PESHA E DRENICËS
Drenicë
më lejo ta shëroj këtë plagë
këtë varrë të hapur ta mbyll
amanet gjyshi lënë ma ka
të të gjendem pranë sa herë keq ndihesh
sa herë në shpinë duan të të qesin
sa herë t’i lëmojnë plagët me helm
dua të të gjendem afër
të paktën
të ndiej me ty
të heq mërzi
përbri rrapit plak
mbjellë nga duart e gjyshit tim
VETËVARROSJA
Sot varrosa vetveten
s’është çudi kjo që ju them
më ka thënë njëherë një fallxhore
se do të jetoj kaq shkurt
vetëm edhe sot
se s’kam jetë edhe nesër
deri këtu ishte jeta ime
kjo ishte rruga ime në këtë tokë
këta ishin minutat e mi mbi dhe
kështu më ka thënë fallxhorja rome
ditën që ma rrotulloi filxhanin në oborr
dhe fatin rrejshëm ma caktoi për dy marka
ndjesë pastë
e ndjera
PARA PASQYRËS
Kurrë s’e kam pyetur
prej që rri në male
në jam më i bukuri
në jam më i urti
në jam më i mençuri
në jam më trimi
E kam pyetur
vazhdoj ende ta pyes
kur do të mbarojë kjo luftë
kur do të rruhem në shtëpinë time
pa drojë se vjen më arreston kush
me zhiletë në dorë
PO IKIN…
Mbi tokën tonë mjegulla po largohet
po shkojnë tutje dhe ata me to
në e mbi blinda
në e mbi tanke
në e mbi makineri
me armë dhe artileri
me maska të zeza në kokë
me mijëra shpirtra pas
me mijëra mëkate të lidhura për
këmbësh
duarsh
dhëmbësh
thua se nuk i sheh
thua se nuk i dallon
thua se nuk di cilin do ta ndëshkojë Zoti
NËPËR BALLKAN
Me këngën shqipe në gojë
brodha sot udhëve të Ballkanit
historinë e popullit tim e dëgjova nga popuj të tjerë
e kishin mësuar keq
e tregonin keq
keq e më keq
zi e më zi
ballkanasit e vonë
ballkanasit e vjetër
ballkanasit e rinj