Kosovës i duhet t’i reformojë programet e saja për mbrojtje sociale për të siguruar që ato të reduktojnë varfërinë dhe të sjellin përmirësime në ekuitet dhe kapital njerëzor, thotë një analizë e re e situatës e financuar nga BE-ja dhe e prodhuar nga Banka Botërore.
Analiza, e prezantuar sot në Prishtinë, synon ta mbështesë Kosovën për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të saj për mbrojtje sociale. Ajo vë re se pandemia COVID-19 dhe kriza ekonomike pasuese kanë nxjerrë në pah sfidat që nuk ua lejojnë programeve për mbrojtje sociale ta mbrojnë efektivisht popullatën e varfër dhe të cenueshme dhe të promovojnë qëndrueshmërinë e tyre në Kosovë.
“Në vitet e ardhshme Kosova do të përfitojë nga popullata në rritje e të rinjve, por për t’i korrur përfitimet kërkohen investime në kapitalin njerëzor duke promovuar punësimin dhe duke mbrojtur më të cenueshmit”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Një sistem i fortë për mbrojtje sociale mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e krijimit të vendeve të punës.”
“Nxitja e përfshirjes sociale dhe luftimi i varfërisë janë vlerat thelbësore të BE-së dhe ne përpiqemi për një ekonomi sociale të tregut që kujdeset për më të brishtët dhe nuk lë askënd prapa”, tha ambasadori Tomáš Szunyog, Udhëheqës i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së.
“Teksa Kosova shpenzon shuma të konsiderueshme parash për mbrojtjen sociale, alokimet për përfituesit e skemave të ndryshme të mbrojtjes sociale nuk janë adekuate dhe me ekuitet, si dhe krijojnë pabarazi. Prandaj, është koha që qeveria ta reformojë sistemin për mbrojtje sociale dhe ta përdorë atë për ta zhdukur varfërinë, për të rritur punësueshmërinë, si dhe për të ofruar kushte të mira jetese për të gjithë.”
Analiza vlerëson shkallën në të cilën sistemi për mbrojtje sociale e përmbush qëllimin e tij. Ajo përshkruan disa nga sfidat kryesore aktuale dhe propozon reforma afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Analiza arrin në përfundimin se shpenzimet për ndihmë sociale në Kosovë janë të orientuara drejt transfereve të parave të gatshme që nuk kanë lidhje me varfërinë, duke e bërë sistemin për mbrojtje sociale të pabalancuar, përkundër buxhetit të konsiderueshëm.
Analiza gjithashtu nënvizon se shpenzimet për shërbimet sociale janë shpërpjestimisht të ulëta. Kosova gjithashtu shpenzon pak për politikat e punësimit dhe tregut të punës, ndërsa sistemi i saj i pensioneve është shumë i fragmentuar, duke çuar në pabarazi të mëdha në të gjithë spektrin e pensioneve jo kontributdhënëse.