Anastas Kristofori është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare. Figura e tij njihet më së shumti dhe do të mbahet mend gjatë për rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” të skenaristes Adelina Balashi.
Lajmin e kanë konfirmuar miq dhe të afërm të aktorit, të cilët kanë postuar në rrjete sociale ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit.
“Lamtumirë o shpirt i lirë, që nuk bëre asnjë kompromis në jetë! T’u bëftë dritë rruga për në përjetësi! Shko në paqe në qiellin e amëshuar! Atje lart të presin krahëhapur njerëzit e tu më të dashur. U prehsh në paqe i madhi Anastas Kristofori”, shkruan një nga të afërmit.
“Lamtumirë i madhi Anastas Kristofori! Lamtumirë o shpirt i lirë dhe i bukur!
Do mbetesh i paharruar në zemrat tona.
U prehsh në paqe, paqen dhe lirinë që ti i deshe aq shumë”, shkruan një tjetër i njohur i aktorit në rrjetet sociale.
Për meritat e tij artistike Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
Biografia e Anastas Kristoforit:
Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në vitin 1970, Anastas Kristofori fillon punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1971. Të shumtë do të jenë interpretimet e tij në skenën e këtij teatri. Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Breht, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” nga Besim Levonja, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” të Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” të Adelina Balashit e shumë të tjera. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot, liria në derë”. Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë në vitin 1976 roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”, më tej do të vazhdonin edhe role të tjera si p.sh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z.Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z.Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.