Një tjetër rekord, albumi “Future Nostalgia” i Dua Lipës renditet i pari në Mbretërinë e Bashkuar

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Artistja shqiptare me renome ndërkombëtare, Dua Lipa, ka thyer një tjetër rekord personal.

Ajo bëhet shqiptarja e parë, albumi i së cilës arrin të ngjitet në majë të klasifikimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Këtë gjë e bëri të ditur vet këngëtarja me origjinë nga Kosova, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Instagram.

Dua ka bërë të ditur se albumi i saj i ri “Future Nostalgia” është tashmë në pozitën e parë në Britaninë e Madhe, dhe ka plot tri këngë nga ky album që janë në listën zyrtare të top 10 këngëve më të mira të momentit.

“Wow, albumi numër një në qytetin tim të lindjes dhe tri këngë në Top 10! Faleminderit Mbretëria e Bashkuar + e katërta në Top 5 në Sh.B.A. Unë nuk mund t’iu besoj syve të mi! Faleminderit një milion herë që e bëtë këtë të ndodhë! Aq surreale ta shkruash edhe këtë! Me gjithë dashurinë time, gjithmonë”, ka shkruar Lipa në Instagram.

Albumi “Future Nostalgia” i cili ka dy javë që është publikuar, ka shënuar suksese të shumta gjatë këtyre ditëve.

Sipas Billboard, ai është albumi më i transmetuar në një ditë (ose ditën e parë) nga një artiste femër britanike globalisht në Spotify, dhe albumi më i transmetuar në një ditë (ose ditën e parë) nga një artiste femër britanike në Sh.B.A.

“Future Nostalgia” është albumi i dytë në karrierën e Dua Lipës, i cili vjen me 11 këngë të frymëzuara nga stili i muzikës në vitet 80′ dhe 90′. 

Të ngjashme