Një vajzë e mitur dyshohet se ka qenë viktimë e trafikimit në qytetin e Podujevës. Lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ajo ka thënë se ndaj tre të dyshuarve është paraqitur kërkesa e paraburgimit.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se fillimisht me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur janë dërguar në mbajtje tre (3) persona të dyshuar, për veprën penale “Trafikimi me njerëz”, si dhe për të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha Ulaj.
Ulaj shtoi se ndaj rastit janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me institucionet relevante.
Policia e Kosovës, dje dhe sot përmes raportit 24 orësh ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarve lidhur me rastin në fjalë.