Një vit e tre muaj burgim për ish-drejtorin e shkollës në Malishevë për rastin ku punëtori teknik humbi jetën në vendin e punës

Prishtinë | 03 Shk 2022 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Malishevë- Ish-drejtorin e Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, Januz Mazreku, është dënuar me një vit e tre muaj burgim pasi ndaj tij ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor për rastin ku punëtori teknik humbi jetën në vendin e punës.

Ngjarja kishte ndodhur më 5 dhjetor të vitit 2014, ku i ndjeri Z.H, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë.

Sipas aktgjykimit, të shpallur nga gjyqtari Njazi Morina, i akuzuari Mazreku është shpallur fajtor për veprën penale asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 3 muaj.

I akuzuari Mazreku është obliguar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor 50 euro, 135 euro në emër të shpenzimeve të procedurës, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa pala e dëmtuar, bashkëshortja e të ndjerit Z.H, Bahrije Hoti, është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Ndryshe seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 3 maj të vitit 2019, ku i akuzuari Mazreku ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet, ndërsa shqyrtimi gjyqësor për këtë rast ka përfunduar më 31 janar 2022.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 22 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Januz Mazreku, duke e ngarkuar atë se në cilësinë e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, në cilësinë e përgjegjësit të shkollës, vepron në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Sipas aktakuzës, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, i akuzuari nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, tani i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhjetor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë.

Me këtë, Mazreku ngarkohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme