Njëherë na kidnapuan policët, dje na rrahën gazetarët

Prishtinë | 17 Qer 2023 | 08:30 | Nga Shenoll Muharremi

Pse nuk po na mbronë qeveria nga bandat? Ndoshta pse nuk ka forcë e fuqi atje. Ka pasur, po e humbën vet me gabime politike. Nuk e ka nën kontrollë më. Qeveria e mbronë qytetarin dhe rendin publik përmes policisë, por më së pari na rrëmbyen policët atje, ende nuk janë kthyer te fëmijët e tyre. Dje gazetarët. Pse nuk po i mbroni njerëzit tanë po ju pyes?

Kur po shkojnë ministrat në kështjellën prej rëre, komunë të Lulzimit – viktimë në Leposaviq, po shkojnë me nga 100 policë tu i ruajt. E kur po i qojnë gazetarët, askush spo i ruan. Qytetarin e gazetarin në gojë të ujkut, edhe policin, e vet në xhip të zi me 10 vetura të policisë tu u kujdesë për vete. Një ministër po shkon në komunë atje çdo dy ditë, me na kallxu që gjallë është Lulzimi.

O Lulzim i dashur, shko në shtëpi te fëmijët dhe familja yte, mos lejo me të përdorë. Ata nësër do bëjnë marrëveshje politike e ti dhe familja jote po e paguajnë dëmin. Ti nuk po më bënë nder mua si qytetar që po rri aty.

Ata që po bëjnë këto avantura ishin nëpër hotele e aeroplana kur u rrahën gazetarët tanë. Kur policët tanë u kidnapuab në pikë të ditës, ata ishin duke drekuar me salmon e pirë verë në një hotel. Me policë të rrethuar e xhipa plot. Polici e gazetari në veri nuk kishin mbrojtje. Nuk i mbrojtëm ne.

Fajin KFOR-it po mundohemi me ia lanë. Një deputet që ka qenë si drita e diellit i mirë dje tha “KFOR-i le të ec prej shpie”. Çka i keni bërë këtij djali? Ky ka qenë djalë i mirë e familjar perfekt, e kam pa me sytë e mi. Qysh arritët një njeri aq me jetë dhe perspektivë me transformu në një deputet të tillë? Çfarë faji ju ka KFOR-i kur ju i quani naivë njerëzit që na mundësuan të jemi gjallë sot.

Ju jeni vetë përgjegjës. Askush tjetër. Sa herë sulmohet ndonjë person ju jeni fajtor. Ju nuk po më përfaqësoni mua qe sa kohë me këto avantura. Nëse nuk keni forcë dhe mend në kokë me e shtri sovranitetin në veri, mos nisni fare. Mos e fajësoni askënd. Kjo avanturë nuk ka sens. S’ka pikë qëndrueshmërie. Po na bën dëme e po na prish me miqtë. Po na kthen kundër njëri-tjetrit. Një çmenduri që ska kuptim më. Përfundoje. Ose nëse dëshiron, shkoni ju vetë pa polici, sikur gazetarët e pastaj e kupton më mirë botën reale. Gabim jeni.

Të ngjashme