Ehat Miftaraj nga IKD ka reaguar pas njohjes së re të Kosovës nga Bahamas, duke e cilësuar këtë si njohjen e 121-të dhe përgëzoi presidenten Vjosa Osmani.
“Kosova sot pranoi njohjen e re nga Bahamas. Njohja e 121. Bravo Presidente Osmani,” ka shkruar Miftaraj.
Ai ka theksuar se njohjet ndërkombëtare kanë qenë një proces i vazhdueshëm që nga shpallja e pavarësisë.
“Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, nuk ka President ose Kryeministër të Republikës së Kosovës që nuk i ka siguruar Kosovës së paku 2, 3 ose më shumë njohje nga shtete anëtare të OKB-së,” ka deklaruar Miftaraj, duke shtuar se shumë prej tyre kanë ardhur edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve mike.
Në postimin e tij, Miftaraj ka ngritur pikëpyetje për kontributin e kryeministrit Albin Kurti në procesin e njohjeve.
“Me dijeninë time, nga 121 njohje, duket se Kurti ka kontribuar me vetëm një njohje? Apo edhe kjo është diskutabile?” ka shkruar ai.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Miftaraj ka theksuar se obligimet e ndërmarra nga Qeveria Kurti janë tashmë pjesë e dokumenteve zyrtare ndërkombëtare.
“Albin Kurti me sukses i ka cimentuar obligimet ndërkombëtare në raport me marrëveshjet e arritura me Serbinë. Negociatat dhe marrëveshjet e tij në Bruksel dhe Ohër janë tashmë pjesë e rrugës së integrimit evropian në dokumentet zyrtare të BE-së dhe në ligjin e ri të miratuar në ShBA,” ka theksuar ai.
Sipas Miftarajt, këto obligime janë të detyrueshme për çdo qeveri të ardhshme.
“Obligimet ndërkombëtare të negociuara nga Kurti në emër të Republikës së Kosovës janë të detyrueshme për secilën qeveri të Republikës së Kosovës, përfshirë Asociacionin, vetëmenaxhimin dhe obligimet tjera me të cilat është pajtuar Kurti dhe LVV,” ka deklaruar ai.
Miftaraj ka kritikuar qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me këto marrëveshje.
“Kurti dhe shpura e tij ‘made in LVV’ të vazhdojnë me arsyetimet e tyre militanteske se Kosova dhe Kurti ende po kërkojnë të nënshkruhen këto marrëveshje,” ka përfunduar Miftaraj.