Viti 2020 na mësoi se realiteti mund të jetë shumë mizor. Mjekët, infermierët dhe personeli në spitale po përballen në baza ditore me gjendjen e rëndë të shkaktuar nga COVID-19.
Duke parë kushtet e vështira dhe sfidat me të cilat po përballet Qendra Klinike Universitare e Kosovës, NLB Banka ka dhuruar pajisje mjekësore dhe medikamente në vlerë prej 19,765 € për Klinikën e Anesteziologjisë ku trajtohen pacientët me gjendjen më të rëndë të shkaktuar nga Covid-19, Klinikën e Pediatrisë, Klinikës e Infektives dhe për Barnatoren Qendrore në QKUK. Pjesa e parë e donacionit është dorëzuar sot dhe pjesa e tjetër do të dorëzohet shpejt sipas afatit të liferimit.
“Si Bankë, e kemi për mision të kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së jetës. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj profesionistëve të kujdesit shëndetësor të cilët kanë punuar kaq shumë në këto kohë të vështira për të mbrojtur shëndetin tonë. Prandaj, jemi krenar që edhe ne mund të kontribuojmë me këto pajisje mjekësore dhe medikamente në lehtësimin e punës së tyre dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve të Kosovës” tha z. Albert Lumezi, Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës në Prishtinë.
Duke nënshkruar Parimet e Kombeve të Bashkuara për Bankë të përgjegjshme, NLB Banka është zotuar në mbështetjen aktive të zhvillimit të qëndrueshëm në shoqëri.