Bashkimi Evropian ka thënë se “non-paper” që është duke qarkulluar në media për Kosovën dhe Serbinë, nuk paraqet pozicionin e tyre.
Ky dokument joformal u raportua se mund të jetë projektuar nga Gjermania dhe Franca, duke u mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në “non-paper” u tha se do të formohet një distrikt autonom i Kosovës së veriut si dhe Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për klankosova.tv ka deklaruar se ata nuk i komentojnë dokumentet e supozuara që raportohen në media.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk e komentojmë asnjë non-paper të supozuar apo dokumente që pretendohet të jenë non-paper, që paraqiten në media të ndryshme. Në rastin në fjalë, dokumenti i supozuar nuk paraqet pozicionin e BE-së dhe atë nuk e kanë marrë as i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun dhe as Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë”, ka thënë Stano.
Për këtë dokument ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se të gjithë “non-papers”-ve duhet t’u përgjigjen me “No comment”, duke shtuar se nuk do të lejojnë shkëmbimin territorial dhe bosnjëzimin e Kosovës.
“Unë besoj që të gjithë këtyre “non-papers” më së miri është t’u përgjigjemi me “No Comment”, përshkak se sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë, ndërkohë që nuk dihet autori dhe e as synimet. Por pasojat nuk mund të jenë të mira, nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial e as të atyre për bosnjëzimin e Kosovës”, ka thënë Kurti para mediave, jashtë selisë së Komisionit Evropian në Bruksel.
Ambasadat e Francës dhe Gjermanisë kanë dalë me reagime në të cilat thuhet se i hedhin poshtë pretendimet për këtë dokument që thuhet se është projektuar nga ata.
“Ky punim nuk është origjinal dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron pozicionet e Gjermanisë dhe Francës. Gjermania dhe Franca mbështesin plotësisht vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja I dërguari i posaçëm nga BE-ja për dialogu, Miroslav Lajcak ka mbështetjen tonë të plotë”.
“Gjermania dhe Franca e mbështesin Ballkanit Perëndimor për të bërë përparim drejt BE-së, së bashku me bashkëpunimin më të fortë në rajon. Një instrument i rëndësishëm për këtë është bashkëpunimi në kontekstin e Procesit të Berlinit, i cili u iniciua nga Qeveria Gjermane në 2014”, thuhet në reagimet e ambasadave në rrjetin social Facebook.
Ndërsa, Departamaneti Amerikan i Shtetit e ka cilësuar si të pajustifikueshëm qarkullimin e ideve të fundit për lëvizje të kufijve në Ballkan.
“Siç kemi parë, spekulimet e fundit të pajustifikueshme rreth ndryshimit të kufijve në vija entike në Ballkan, rrezikojnë të nxisin jostabilitet dhe na rikthejmë kujtimet me tension të së kaluarës”, thuhet në qëndrimin e DASH.