Norvegji: Kompania Meta kërcënohet me gjobë ditore prej 100 mijë dollarësh

Prishtinë | 18 Kor 2023 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Agjencia norvegjeze e mbrojtjes së të dhënave tha të hënën se do të ndalojë kompaninë Meta, e cila ka në pronësi platformat Facebook dhe Instagram, të përdorë informacionin personal të përdoruesve për reklama të posaçme, duke kërcënuar me gjobë ditore prej 100 mijë dollarësh ditore nëse kompania vazhdon këtë praktikë.

Praktikat e biznesit të firmave të mëdha të teknologjisë amerikane janë nën vëzhgim të fortë në të gjithë Evropën për shqetësimet në lidhje me privatësinë, duke rezultuar në gjoba të mëdha në vitet e fundit.

Agjencia norvegjeze e mbrojtjes së të dhënave, Datatilsynet, tha se Meta përdor informacione si vendndodhjen e përdoruesve, përmbajtjen që u pëlqen dhe postimet e tyre për qëllime reklamash.

“Autoriteti Norvegjez për Mbrojtjen e të Dhënave i konsideron të paligjshme praktikat e kompanisë Meta dhe për këtë arsye po vendos një ndalim të përkohshëm të reklamave të saj në Facebook dhe Instagram”, thuhet në një deklaratë të kësaj agjencie.

Vendimi do të hyjë në fuqi më 4 gusht dhe do të zgjasë tre muaj për t’i dhënë kohë kompanisë Metës të marrë masa korrigjuese. Kompania do të gjobitet me 100 mijë dollarë në ditë nëse nuk e respekton vendimin.

“Ne do ta analizojmë vendimin, por nuk ka asnjë efekt të menjëhershëm për shërbimet tona”, tha kompania Meta në një deklaratë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Agjencia norvegjeze shtoi se vendimi i saj nuk ishte as një ndalim I platformave Facebook dhe Instagram që operojnë në vend dhe as një ndalim i plotë i reklamave të tyre.

Organizata austriake e mbrojtjes së privatësisë dixhitale, Noyb, e cila ka paraqitur një sërë ankesash kundër aktiviteteve të kompanisë Meta, tha se “e mirëpret këtë vendim si një hap të parë të rëndësishëm” dhe shpreson që agjencitë e mbrotjes së të dhënave në vendet e tjera do të ndjekin shembullin.

Meta mori një goditje të madhe në fillim të këtij viti kur agjencitë evropiane të mbrojtjes së të dhënave hodhën poshtë bazën ligjore që Meta kishte përdorur për të justifikuar mbledhjen e të dhënave personale të përdoruesve për përdorim në reklamat e posaçme.

Meta pësoi një tjetër goditje të madhe në fillim të këtij muaji kur Gjykata Evropiane e Drejtësisë hodhi poshtë zgjidhjet e saj të ndryshme dhe fuqizoi agjencitë e mbrojtjes së të dhënave me kompetenca që marrin parasysh çështjet e privatësisë së të dhënave gjatë kryerjes së hetimeve.

Të ngjashme