Notarja Flaka Pruthi ka reaguar ndaj vendimit të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) për ndërprerje të bursës olimpike. Ajo e ka quajtur plotësisht të padrejtë vendimin, të mbështetur në një nen që nuk ekziston dhe për këtë pa paralajmëruar padi ndaj KOK-ut, shkruan sot Koha Ditore.
Në një shkëmbim letrash, që i ka siguruar gazeta, KOK-u e njofton notaren për shkëputje të marrëveshjes për bursë olimpike me arsyetimin “se nuk i ka rezultatet e pritura”, dhe për këtë mbështetet në nenin 4, pika 3 të kontratës së firmosur, por kjo pikë nuk ekziston në njërën kontratë që ka firmosur notarja, e në tjetrën bëhet fjalë për stërvitje.
Me rastin e marrjes së bursës, sportistët firmosin dy kontrata, një me KOK-un dhe një me Solidaritetin Olimpik, që është burimi kryesor i të ardhurave për bursa të sportistëve.
Më 28 janar KOK-u e ka njoftuar Pruthin për shkëputjen e kontratës, duke e zëvendësuar atë me notaren tjetër, Fjorda Shabani, që tash e tutje do ta marrë bursën mujore në vlerë 231 euro (150 dollarë nga Solidariteti dhe 100 euro nga KOK-u).
KOK-u e ka njoftuar Pruthin se vendimi është marrë pas raportit të performancës së saj të siguruar nga Federata e Notit e Kosovës.
Dhe performanca e Pruthit nuk mund të ishte e mirë, meqë ka kaluar kohë të vështirë me lëndime, për çka është dashur operimi dhe rehabilitimi.