Si rezultat i bashkëpunimit politik mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministrisë së Drejtësisë, dhe i bashkëpunimit profesional mes Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) dhe Odës së Noterëve të Kosovës (ONK) në fushën e hapjes së të dhënave, respektivisht ofrimit të qasjes për noterët në regjistrin pronësorë që administrohen nga AKK, më datë 7 tetor 2020 në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit mes AKK dhe ONK.
Përmes këtij Memorandumi të Bashkëpunimit synohet që zyrave noteriale, bazuar në legjislacionin në fuqi, t`iu sigurohet qasje në shikim, printim dhe shënim në certifikatat pronësore të administruara nga AKK në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë.
Nënshkrimit të memorandumit i parapriu një takim mes zv. ministres së Ekonimisë dhe Ambientit z-nja Burbuqe Deva Bakija, zv. ministrin e Ministrisë së Drejtësisë z. Florian Dushi, kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës z. Avni Ahmeti dhe kryetarit të Odës së Noterëve, z. Aliriza Beshi.
Në këtë takim u vlerësua akti i marrëveshjes, duke potencuar se përftues kryesorë nga një proces i tillë do të jenë vetë qytetarët e Republikës së Kosovës pasi që në këtë mënyrë do të ngrihej shkalla e sigurisë së transaksioneve pronësore, do të shmangeshin procedurat burokratike, do të ngrihej shkalla e transparencës, do të mundësohej ofrimi i të dhënave kualitative e në kohë reale, do të ulen edhe shpenzimet e qytetarëve e ngjashëm.
Zëvendësministrja znj. Deva-Bakija vlerësoi këtë të arritur duke thënë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të jetë përkrahëse e përhershme e nismave nga të cilat përfitojnë institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës dhe garantoi përkrahjen e vazhdueshme për Agjencinë Kadastrale të Kosovës në fushën e hapjes dhe shkëmbimit të të dhënave pronësore dhe gjeohapësinore.
Nga ana tjetër zëvendësministri Dushi theksoi se Ministria e Drejtësisë do të jetë e hapur dhe e gatshme për të bashkëpunuar në secilin rast me qëllim të koordinimit dhe përmirësimit qoftë përmes korrigjimit të rregullativës ligjore apo edhe aspekteve të tjera të cilat do të ofronin lehtësi dhe siguri juridike si për qytetarët ashtu edhe për punën e noterëve në Kosovë.
Ndërsa z. Beshi theksin e vendosi të siguria e transaksioneve dhe pamundësimi i tentativave për keqpërdorime eventuale gjatë transaksioneve pronësore.
Në fund të takimin, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, z. Avni Ahmeti tha se me këtë akt po u jepet përgjigje sfidave disavjeçare me të cilat janë ballafaquar institucionet, e me theks kryesor mundësimi i qasjes në regjistra pronësorë për institucione publike të cilat u ofrojnë shërbime të përditshme qytetarëve, përfshi këtu edhe noterët.
Po ashtu, z Ahmeti tha se AKK ka identifikuar institucione të interesit me të cilat ka vendosur bashkëpunim intensiv i cili po rezulton me ofrimin e qasjes në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovës përfshi Odën e Përmbaruesve, AKI-në, Policinë e Kosovës, Agjencinë Antikorrupsion, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Inteligjencën Financiare, bankat e kosovës e të tjera, dhe ky trend nuk do të ndalet deri në përfshirjen e të gjitha institucioneve të interesit.