Brukseli i ka kërkuar Serbisë që t’u vë viza shtetasve rusë dhe kinezë, përveç disa shtetasve tjerë.
Kështu shkruan “Novosti”, duke iu referuar raportit të fundit të Komisionit Evropian për avancimin e Serbisë. Në atë dokument, sipas mediumit serb, thuhet se regjimi i vizave i Serbisë nuk është në përputhje me Bashkimin Evropian kur bëhet fjalë për 17 shtete.
Këto shtete janë, Bahreini, Bjellorusia, Bolivia, Kina, Kuba, Guinea Bisao, India, Indonezia, Xhamajka, Kazakistani, Kuvajti, Mongolia, Omani, Katari, Turqia, Tunizia dhe Rusia.
Shtetasit e këtyre vendeve në Serbi mund të udhëtojnë pa viza, ndërkaq hyrja në shtetet anëtare të BE-së është e ndaluar për ta pa viza, dhe kështu Brukseli kërkon që Beogradi të zvogëlojë “devijimin” nga politika e përbashkët e vizave të BE-së, transmeton Koha.net.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se kriteri kyç për një vendim eventual për heqje të regjimit pa viza mes Serbisë dhe ndonjë shteti tjetër do të jetë një e dhënë statistikore. Më saktësisht, shifra që tregojnë nëse ekziston ndërlidhja mes regjimit pa viza dhe numrit të migrantëve apo azilantëve nga ndonjë shtet.
Serbia madje është kritikuar që u ka hequr vizat edhe qytetarëve të shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës apo i kanë revokuar njohjet. Këto shtete, mes tjerash, janë edhe India, Bahama, Barbados, Xhamajka, Mauritius, Meksiko, Saint Vincent dhe Grenadines, Paraguai, Kolumbia, Suriname, Guinea Bisao dhe Burundi.