Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka është liruar nga akuza për krim të organizuar.
Nuhi Uka, kryetari i ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, u shpall i pafajshëm sot nga Gjykata Themelore e Prizrenit.
Uka akuzohej nga një trup gjykues me dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendës për krim të organizuar dhe mashtrim.
Ai u lirua nga akuza e parë, ndërsa akuzat tjera iu vjetruan.
Bashkë me Ukën në këtë proces gjyqësor akuzoheshin edhe Sanije Muçolli, avokatja dhe ish-gjyqtarja e gjykatës që drejtohej nga Uka dhe Fehmi Havolli, eksperti i gjeodezisë në Komunën e Prishtinës.
Aktakuza ndaj Muçollit e Havollit u hodh poshtë, ngase veprat për të cilat ngarkoheshin u vjetruan.
Pjesë e gjykimit ishin edhe Kadrie Hashani, Kimete Hashani-Ukaj, Mirafete Hashani-Bislimi, Hilmije Miftari dhe Ibadete Hashani.
Gjykata dënoi me dy vjet burg me kusht për legalizim të përmbajtjes së rreme Kadrie Hashanin dhe Kimete Hashani-Ukajn.
Ato nuk do të shkojnë në vuajtje të dënimit prapa grilave nëse nuk kryejnë ndonjë vepër penale tjetër gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
Po për legalizim të përmbajtjes së rreme u dënuan me 1 vit e 10 muaj burg me kushte edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Hilmije Miftari dhe Ibadete Hashani.
Edhe këto nëse nuk duan të përfundojnë në burg, duhet të mos kryejnë vepër tjetër penale brenda dy vjetëve.
Të gjithë të pandehurit ngarkoheshin se kanë formuar një grup të organizuar kriminal, secili me rolet e veta specifike, ndërsa Nuhi Uka ka qenë udhëheqës i këtij grupi.
Sipas aktakuzës, më 22 shkurt të vitit 2006 dhe 26 korrik të viti 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës.
Nuhi Uka është edhe njëri nga 52 të hetuarit për keqpërdorim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë e Llapnasellë, bashkë me ish-deputetin e PDK-së Azem Syla.