Nuk i bashkohen Thaçit në ekipin për dialog

Prishtinë | 31 Gus 2017 | 08:21 | Nga

Të gjitha partitë politike nuk do t’i bashkohen nismës së presidentit Thaçi për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Drejtues të lëvizjes “Vetëvendosje” thonë se nuk do të jenë pjesë e një nisme të tillë, pasi nuk mund të ketë ekip uniteti për ta shitur tokën e Kosovës. Përpos përkrahjes nga ish-partia e tij, i pari i shtetit nuk e ka të sigurt as përkrahjen nga LDK-ja, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Nisma e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ta krijuar një ekip gjithëpërfshirës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi nuk ka gjetur mbështetje te të gjitha partitë politike.

Përkundrazi, disa prej tyre janë deklaruar qysh tani se nuk do të marrin pjesë në këtë ekip, edhe po që se zyrtarisht ftohen nga i pari i shtetit.

Përderisa PDK-ja ka mirëpritur një nismë të tillë, lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këso takimesh.

Nga ana tjetër, LDK-ja ende nuk ka marrë një vendim sa i përket kësaj çështjeje.

E gjersa ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka përshëndetur një nismë të tillë, njohësit e procesit të dialogut konsiderojnë se presidenti Thaçi paraprakisht duhet të arrijë një konsensus me partitë politike, në mënyrë që të arrihet të krijohet një ekip, në të cilin do të merrnin pjesë të gjitha subjektet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme është zotuar se pas krijimit të institucioneve do ta formojë një ekip gjithëpërfshirës për dialogun me Serbinë.

“Menjëherë pas kësaj unë do të punoj për ndërtimin e ekipit të unitetit me përfaqësues nga partitë politike, nga shoqëria civile, etj. Duhet të përgatitemi mirë dhe të jemi të bashkuar sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka deklaruar Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme