Një numër i studentëve kosovarë nga Universitetet e Kosovës, kanë kryer studime nëpër vende të ndryshme evropiane, mirëpo numrin e saktë të studentëve nuk e dinë as Qeveria e Kosovës e as universitetet.
Në raportet dhe strategjitë e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare vazhdimisht theksohet mungesa e kuadrit në fusha të caktuara, me të cilat është i lidhur ngushtë integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ekspertët e fushës thonë se politikanët nuk ua japin hapësirën meritore kosovarëve që sjellin përvoja të ndryshme nga universitetet më prestigjioze evropiane. Kosova aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të rinjtë që kanë kryer studime në sistemin kosovar dhe të shteteve perëndimore thonë se është shumë i madh dallimi i mënyrës së mësimdhënies dhe i vlerësimit të dijes. Mendojnë se pa një kapërcim të madh nuk mund të ketë as ndryshime të theksuara në shoqëri.
Violeta Ferati (31) është duke doktoruar në universitetin “Karl Eberhard” në qytetin Tübingen në Gjermani në temën “Efektiviteti i Bashkimit Evropian në zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor”. Ferati ka kryer shkollën fillore në shtetin me ekonominë më të fuqishme në Evropë para se të kthehej me familje në Kosovë.
“Mësimdhënia në Gjermani karakterizohej nga qasja kreative në shkollën fillore, me lëndë të ndryshme, ku stimuloheshin shumë aspekte të zhvillimit mendor dhe fizik të fëmijëve”, thekson Ferati. “Në kujtesën time ende e shoh në klasë mësuesen time të parë me kitarë në dorë.”