Nuk është reale të pritet që integrimi i Kosovës të përshpejtohet për shkak të luftës në Ukrainë

Prishtinë | 03 Mar 2022 | 21:11 | Nga Liri Loshi

Nuk është aq reale që realizimi i tri objektivave tona: pranimi nga pesë vendet e BE-së, anëtarësimi në NATO dhe në OKB, të përshpejtohet për shkak të luftës në Ukrainë. SHBA-ja dhe Evropa do ta kenë në fokus të tyre Ukrainën jo vetëm gjatë kohës sa do të zgjasë lufta, por edhe për një kohë relativisht të gjatë pas përfundimit të saj.

Prandaj, mjafton që tash qeveria jonë të akordohet vazhdimisht me planet e këtyre shteteve ndaj Ukrainës dhe ta forcojë shtetin në të gjitha segmentet për sa është e mundur. Nuk duhet harruar, se lufta po ndodh në Ukrainë dhe jo në Kosovë, prandaj Kosova duhet të vazhdojë të funksionojë sa më normalisht duke ndermarrë të gjitha masat që ndikimi i kësaj lufte të ndikojë sa më pak që të jetë e mundur në jetën e qytetarëve të saj.

Serbia e ka humbur luftën më 1999 dhe ky problem mes asaj dhe Kosovës do të duhej të ishte i kryer qysh atëherë. Nuk është kryer jo për shkak të Serbisë, por për shkak të Rusisë, e cila si anëtare me të drejtë vetoje në OKB dhe si supërfuqi ushtarake botërore, ka vazhduar ta përkrahë dhe stimulojë Serbinë për të mos e pranuar realitetin e ri gjeopolik në rajon.

Tani, sanksionet e botës përendimore do të jenë aq të fuqishme, sa do ta sjellin në gjunjë ekonominë e Rusisë. Pa ekonomi, ajo nuk mund ta forcojë ushtrinë e saj dhe kështu do të detyrohet t’ iu nënshtrohet kushteve dhe parimeve që përcakton Perëndimi. Nuk është çudi që objektivi i Putinit për çmilitarizimin akut të Ukrainës, të përfundojë me demilitarizimin qenësor të vetë Rusisë!

Kur Rusia të jetë e dobët, Serbia nuk do të ketë mbështetjen e saj për çështjen e Kosovës. Pra, ky do të jetë një proces që pritet të mos zgjasë shumë dhe që doemos do të përfundojë në dobi tonën.

Deri atëherë është me rëndësi që të mos ngutemi për t’i bërë koncesione Serbisë, por të marrim pjesë në dialog, pra të mos e refuzojmë atë dhe krahas kësaj ta zhvillojmë normalisht vendin. Ndërkohë, nuk është larg menç që në Rusi dhe në Serbi të vijnë forca të reja demoktatike që do të renditen në linjë me vlerat perendimore.

Nuk jam kundër që moment i ri të krijojë një entuziazëm dhe një nxitje të re për diplomacinë tonë, por devijimi nga çdo proces kontraktual që Kosova ka me Evropën, në emër të përshpejtimit të tij, mund të na kthejë në një partner jo serioz. Fundja, objektivat tona nuk ndryshojnë pavarësisht kush humb a kush fiton në skenën ndërkombëtare, sepse ato janë të qarta dhe mbesin jetike.

Ajo për çka duhet të kujdesemi ne është që synimet tona politike të arrihen sapo të krijohen kushtet e para dhe të arrihen në mënyrë të plotë e të gjithanshme.

Si përfundim, mendoj se ende nuk është momenti me i dhënë shumë zjarr makinës sonë dioplomatike, sepse Perendimi nuk pritet ta refuzojë Serbinë dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE. Sipas të gjitha gjasave, perëndimi do të vazhdojë të jetë mirë me ne e mirë me Serbinë.

Të ngjashme