Nuk është skandali seksual, diçka nuk shkon me vetë Nobelin

Prishtinë | 08 Maj 2018 | 16:14 | Nga Tim Parks/ New York Times

Ne të gjithë e duam një çmim dhe një skandal, dhe një rast për të tundur kokën kur të mëdhenjtë dhe të mirët rrëzohen me turp. Gjatë pak javëve të fundit, Akademia Suedeze, e cila ndan çmimin Nobel në Letërsi, ka ofruar argëtim të shkëlqyeshëm.

Në vend që të pyesnim nëse çmimi i këtij viti, më në fund, do të shkonte te Philip Roth, ne patëm kënaqësinë të pyesim nëse ky çmim do të jepet fare këtë vit. Të premten morëm përgjigjen: Akademia do ta shtyjë çmimin e vitit 2018 deri vitin e ardhshëm. Komedia e vërtetë, megjithatë, është se, u deshën akuzat për abuzime seksuale – të drejtuara jo ndaj një anëtari të Akademisë, por bashkëshortit të një anëtari – për të hedhur dyshime mbi çmimin. Kërkon shumë pak reflektim për të parë se ky çmim ndërkombëtar për Letërsinë kurrë nuk ka pasur, as kurrë nuk mund të ketë, besueshmëri. Është i pakuptimtë.

Detajet e skandalit seksual vetëm sa do të shtonin pështjellimin, por ja një skicë në vija të trasha: Katarina Frostenson, një poete, u bë anëtare e Akademisë Suedeze në vitin 1992. Së bashku me bashkëshortin francez, fotografin Jean-Claude Arnault, ajo gjithashtu, drejtonje një klub kulturor, Forum, i cili merrte fonde edhe nga Akademia Suedeze. Nëpërmjet lëvizjes “Me Too”, 18 gra kanë bërë publike akuza ndaj z. Arnault për sjellje të pahijshme seksuale; disa prej tyre përfshijnë edhe Forumin.

Tetëmbëdhjeta është një numër i përsëritur në këtë histori. 18 janë anëtarët e Akademisë suedeze, e cila u formua në vitin 1786 për të promovuar “pastërtinë, forcën dhe lartësinë e gjuhës suedeze”; në vitin 1900 Akademia u zgjodh nga trashëgimia e Alfred Nobelit për të zgjedhur veprën më të mirë letrare me “një tendencë idealiste ” kudo në botë, diçka që i detyroi puristët suedezë të kalonin shumicën e kohës duke lexuar në gjuhë të huaja.

Në përputhje me një vizion antik të përpjekjes dhe identitetit njerëzor, statuti i Akademisë nuk ka asnjë dispozitë për anëtarët që japin dorëheqjen; si lordët ose priftërinjtë e shuguruar, ata janë në të për jetë, të mirosur, me aftësinë për të promovuar pastërtinë e gjuhës suedeze dhe për t’i dhënë një milion dollarë çdo vit një shkrimtari të mirë, puna e të cilit mund të interpretohet si “idealiste”.

E tillë është gatishmëria e botës që, një bazament i fortë të vendoset në rërën e lëvizshme të shijes estetike, e tillë dëshira jonë për të pasur të preferuarat tona letrare të kurorëzuara dhe “kanonizuara”, e tillë ambicja e vetë shkrimtarëve për të besuar se janë bashkuar me “të mëdhenjtë”, që Nobeli është bërë ceremonia qendrore në liturgjinë tonë letrare, burim i spekulimeve të pafundme dhe polemikave të nxehta. Në muajt para njoftimit të fituesit, bookmakers-at bëjnë tregti të paparë. Së bashku me sulmet seksuale, z. Arnault akuzohet gjithashtu për rrjedhjen e emrave të shtatë fituesve duke lejuar të njohurit e tij që të përfitojnë nga bastet. Megjithëse znj. Frostenson vështirë se mund të qortohet për mospërfillje në ngacmimet seksuale të të shoqit, ajo dyshohet për pjesëmarrje në rrjedhjen e informacionit.

Akademia Suedeze është përpjekur ta reformojë imazhin. Burrat që vdisnin u zëvendësuan me gra (tani janë 7 në 18) dhe në vitin 2015, Akademia njohu kryesuesen e parë femër, Sara Danius. Ishte znj. Danius, e cila muajin e shkuar vendosi të sqaronte marrëdhëniet e institucionit me Forumin dhe e përjashtoi znj. Frostenson. Por anëtarët u ndanë dhe mocioni nuk u kalua.

Me sa duket, polemika kishte ndezur tensionet midis gardës së vjetër dhe të resë. Znj. Danius dha dorëheqjen si kryetare dhe u tërhoq nga aktivitetet e Akademisë; kështu bëri edhe znj. Frostenson dhe të tjerë. Por meqenëse nuk mund të japin dorëheqjen, dhe as nuk mund të zëvendësohen, Akademia vështirë se e ka kuorumin për të kryer punën e saj. Ka pasur shumë debate nga ana e Fondacionit Nobel, i cili mbikqyr çmimet, dhe nunit të Akademisë, mbreti Carl XVI Gustaf – për të mos përmendur literatët (njerëzit e botës së letrave) ndërkombëtarë që po shohin një lodër të preferuar që t’u copëtohet.

Megjithatë, pse sjellja e keqe apo grindjet e bëjnë një person më pak të aftë të gjykojë cilësinë e një vepre letrare? Nuk duhet të jesh shenjtor që të dallosh një libër të mirë. Dhe, përse fakti që anëtarët e Akademisë janë të moshuar apo të rinj, burra apo gra, e bëjnë atë më shumë (ose më pak) të besueshëm kur vendosin të blatojnë madhështi mbi një shkrimtar? Kam takuar Per Wastberg, i cili drejton ekipin me katër persona brenda Akademisë që hedh bazat për çmimin. Ai është simpatik, i zellshëm dhe absolutisht serioz, sigurisht i kualifikuar si kushdo që të merret me këtë detyrë. Është vetë detyra që nuk ka kuptim.

Letërsia nuk është tenis apo futboll, ku konkurenca ndërkombëtare ka kuptim. Është e lidhur ngushtë me gjuhën dhe kulturën nga e cila del. Stili letrar dallon nga distanca që ka me stilet e tjerë që e rrethojnë, duke nënkuptuar një komunitet lexuesish me një njohuri të përbashkët të veprave të tjera letrare, të përdorimit të gjuhës standarde dhe kontekstit kulturor. Ç’kuptim ka që, një grup nga një kulturë – qoftë ajo suedeze, amerikane, nigeriane apo japoneze – të kërkojë të krahasojë një poet bolivian me një romancier korean, një kantautor amerikan me një dramaturg rus, e kështu me radhë? Pse duam që ata ta bëjnë këtë?

Ndërsa suedezët tkurren në siklet, klounët e vërtetë të kësaj farse janë kritikët që insistojnë në marrjen seriozisht të Nobelit. Mundesh fare mirë që të debatosh edhe për zgjedhjet e kardinalëve katolikë kur ata shpallin një shenjt të ri. Me të vërtetë është koha që të rritemi dhe të përqendrohemi te vetë librat, pa këtë ereksion fituesish dhe humbësish.

***Tim Parks është shkrimtar dhe përkthyes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme