Gazetari kroat publikon një dokument të noterizuar: Dëshmitari akuzon Vuçiqin se ka gjuajtur personalisht mbi civilët në Sarajevë

Prishtinë | 25 Maj 2026 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Gazetari hulumtues kroat Drago Margetiq ka publikuar një dokument të noterizuar, në të cilin një dëshmitar nga Bosnja dhe Hercegovina ka dëshmuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë drejtpërdrejt në aktivitete snajperiste kundër civilëve gjatë luftës në Sarajevë në vitet 1990.

Dokumenti mban datën 21 maj 2026 dhe është nënshkruar nga Aleksandar Licanin nga Prijedori i cili në atë kohë ishte vullnetar në një luftë serbo-boshnjake, në të cilin ai deklaron se më 4 mars 2026 ka dhënë dëshmi pranë Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës lidhur me, siç thuhet në dokument, “krimet e luftës të safarive njerëzore” gjatë rrethimit të Sarajevës.

Në dëshminë e tij, Licanin pretendon se gjatë viteve 1993 dhe 1994 në zonën e Grbavicës ka parë ardhjen e Aleksandar Vuçiqit së bashku me figura të tjera nacionaliste serbe, ndërsa i akuzon ata për pjesëmarrje në sulme snajperiste ndaj civilëve.

“E di se Aleksandar Vuciq personalisht ka qëlluar me snajper mbi civilët në Sarajevë nga pozicionet në varrezat hebraike”, thuhet në një nga pikat e dokumentit.

Në një pjesë tjetër të dëshmisë, dëshmitari pretendon se Vuçiq “organizonte ardhjen e të huajve, gjuetarëve të huaj, në të ashtuquajturat safari snajperiste mbi civilët në Sarajevën e rrethuar”.

Dokumenti përmend gjithashtu emra të tjerë të njohur të skenës politike dhe paramilitare serbe të viteve ’90, përfshirë Vojislav Sheshelj dhe Slavko Aleksiq.

Sipas dëshmisë, Vuçiq dyshohet se kishte rol në organizimin dhe udhëheqjen e “safarive njerëzore snajperiste” ndaj civilëve në Sarajevë. Dëshmitari pretendon gjithashtu se njësia ku ai shërbente ndodhej pranë varrezave hebraike dhe se kishte parë nga afër aktivitetet e përshkruara.

Në fund të dokumentit, Licanin shpreh dyshime ndaj mënyrës së trajtimit të deklaratës së tij nga prokuroria, duke pretenduar se disa pjesë të dëshmisë mund të jenë lënë jashtë procesverbalit për të “mbrojtur Aleksandar Vuçiqin”.

Të ngjashme