Portieri Samir Ujkani në fillim të shtatorit të vitit të kaluar iu bashkua Torinos. Te skuadra italiane ka qenë vazhdimisht në stol, por asnjëherë nuk e ka fituar rastin, raporton Koha.net.
Me gjithë faktin se nuk e ka aktivizuar asnjëherë, Torino pritet t’i ofrojë kontratë të re Ujkanit. Kështu kanë njoftuar të shtunën media të afërta me klubit italian.
Ujkani ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor të këtij viti. Por ai ka diskutuar me klubin për vazhdim të saj. Prej fillimit është ditur se Ujkani do të jetë portieri i dytë te skuadra e Serie A. Sipas raportimeve, ai ka ushtruar me profesionalizëm të lartë dhe ka vlerësimin e bashkëlojtarëve.
Megjithatë nuk pritet të ketë vendim për vazhdim të kontratës para se të kaloj pandemia e koronavirsit.
Ujkani 31-vjeçar, së fundi në portë ka qëndruar më 10 tetor të vitit të kaluar, në fitoren 1:0 të Kosovës ndaj Gjibraltarit. Një pjesë kishte ruajtur portën e Kosovës në barazimin 2:2 me Danimarkën, më 21 mars të vitit të kaluar. Në nivel klubesh së fundi është aktivizuar më 23 dhjetor të vitit 2018, për skuadrën turke Rizespor.
Ai edhe te Kosova tashmë llogaritet portieri i dytë, pas Arijanet Muriqit, që po ashtu ka muaj që nuk është aktivizuar.