Ende nuk ka sinjale nga Qeveria e Kosovës që është bërë një zgjidhje për punëtorët e RTK-së, e për këtë sindikata e punëtorëve të RTK-së kanë vazhduar grevën edhe sot, duke i bërë thirrje kryeministrit në detyrë Albin Kurti që të bëjnë zgjidhjen e cila ekziston, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i sindikatës, Gëzim Bimbashi ka paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime të tjera pavarësisht që nuk iu pëlqejnë, por janë të detyruar, duke theksuar se gjendja në RTK është e rënduar.
“Është e çuditshme për mua dhe gjithë kolegët në televizion se si mundet Qeveria e Kosovës me gjet zgjidhje, me nda mjete për zgjedhje. Nuk jemi që të gjejnë zgjidhje për KQZ dhe tjera, por kur gjejnë zgjidhje edhe për KQZ dhe institucione tjera për rëndësi, por pse mos me u gjet një zgjidhje edhe për RTK-në e aq më keq kur RTK e ka buxhetin e ndarë. Mjafton një nismë e ministrit Muratit për me u aloku mjetet për RTK. Nuk di dhe nuk po mundem me cilësu pse po bëhet, por po na duket e çuditshme. Situata është e rënduar nuk e di ku ka me shku më rëndë ku ndoshta 50 përqindëshi i punëtorëve nuk kanë me mujt me dalë në punë me i kry punët e tyre sepse nuk kanë paga dhe nuk po paguhen për punët që po bëjnë, përjashto këtu edhe çmimet e shtrenjta. Thirrje edhe njëherë kryeministrit dhe qeverisë, mundeni me gjet zgjidhje. Mos na detyroni me marrë masa që ndoshta nuk na pëlqejnë as neve e askujt. Jemi transmetues publik, gazetarë e profesionistë. Nuk jemi politikë, kjo nuk është politike. Kemi dalë me kërku të drejtën tonë. Andaj si sindikatë e punëtorëve po ju bëjë thirrje, merrni masa sa nuk është bërë vonë”, tha Bimbashi.
Bimbashi ka thënë se do të qëndrojnë në atë se do t’i bojkotojnë fushatat elektorale dhe ngjarje politike.
“Sot më së largu nesër do të dalim me qëndrime të tjera të cilat na shtyjnë në bazë të situatës me u ndërmarrë. Varësisht prej situatës që po rëndohet ne do të shkojmë në këtë drejtim. Ne nuk kemi dëshirë të ndërmarrim këto veprime por jemi të shtyrë”, theksoi Bimbashi.
Punëtorët e RTK-së nuk i kanë marrë pagat as në ditën e 26 të këtij muaji nëntor.




