Nuk ka përmirësim shërbimesh ndaj qytetarëve pa shtrirjen e noterëve në gjithë territorin

Prishtinë | 22 Qer 2020 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është takuar sot me kryetarin e Odës së Noterëve, Aliriza Beshi dhe kryetarin e Odës së Ndërmjetësuesve Faton Morina.

Gjatë këtyre takimeve të ndara, ministri Selimi tha se është e nevojshme të fuqizohen dhe të kenë mbështetje profesionet e lira, meqë, sipas tij, qytetarët e Kosovës duhet të kenë shërbime të shpejta dhe efikase. Ai tha se përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve nënkupton edhe shtrirjen e noterëve në tërë territorin e vendit.

“Rritja apo shtrirja e numrit të noterëve në gjithë territorin e Kosovës, nënkupton edhe rritje të kritereve kualifikuese. Kjo për shkak se prioritet i yni mbetet ngritja e efikasitetit të punës dhe rritja e kredibilitetit në fushën e noterisë”, tha ministri Selimi.

Rëndësi të veçantë, sipas ministrit Selimi, ka edhe rritja e kapaciteteve dhe numri i ndërmjetësuesve, që sipas tij, do të mundësojnë zgjidhje të shpejta, efikase dhe me kosto të ultë për disa lloje të çështjeve për të cilat qytetarët rëndom kanë pritur me vite në procese gjyqësore.

Kryetarët e të dy odave falënderuan ministrin Selimi për bashkëpunim duke vlerësuar se profesionet e lira në Kosovë janë në rrugën e duhur për konsolidim të plotë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme