I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, kishte premtuar se tre muaj pas formimit të Qeverisë Kosova do t’i plotësojë kushtet për liberalizimin e vizave.
Por po bëhen tre muaj nga fitorja e koalicionit PAN në zgjedhjet e 11 qershorit dhe Haradinaj nuk ka arritur që ende të formojë as Qeverinë e vendit.
E ky “ngërç” politik, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të bëjë që Kosovës t’i shtyhen edhe më tej proceset integruese. Madje Kosova rrezikon që të mos përfitojë nga liberalizimi i vizave as brenda vitit 2018 nëse vazhdon me këtë qasje zvarritëse dhe bllokuese.
Ismajli: Kosova i ka stopuar proceset integruese, edhe liberalizimin
Proceset integruese janë stopuar dhe ky stopim vjen pikërisht si rezultat i mosfunksionimit të institucioneve politike për t’i kaluar proceset që presin vendin. Kështu ka thënë profesori universitar Dashnim Ismajli. Në një prononcim për “Zërin”, Ismajli ka shtuar se papërgjegjshmëria politike në Kosovë tashmë ka dhënë sinjalet e saj negative ndërkombëtarisht, transmeton zeri.info.
“Trendi i zhvillimeve në Kosovë ka sfiduar procesin tej mase dhe pasojat do të vërehen edhe për një periudhë të gjatë kohore”, ka thënë Ismajli. Më tej ai ka shtuar se sfidat e shtetit të Kosovës tashmë janë të njohura. Megjithatë, sipas tij, Kosova ka ngecur në politikat integruese dhe në ndërtimin e perspektivës së saj, e cila do t’i garantonte një ekzistencë të qëndrueshme Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton zeri.info.
“Sa i përket një liberalizimi vizash nga Bashkimi Evropian nuk mendoj se kjo do të ndodhë në një afat të shkurtër kohor. Kjo varet edhe nga zhvillimet politike në vend, se sa është Kosova e aftë të kalojë këtë ngërç politik, të ndërtojë një qeveri stabile, e cila do të jetë e gatshme t’i përshpejtojë proceset që e presin dhe të shkurtojë rrugën integruese të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai.