“Nuk mund të ketë zgjidhje për Sirinë, nëse Asad qëndron në pozitën e tij”

Prishtinë | 10 Pri 2017 | 16:15 | Nga

Zëdhënësi i Qeverisë Federale të Gjermanisë Steffen Seibert tha se nuk është e mundur të ketë një zgjidhje paqësore dhe stabile për Sirinë, nëse Bashar al-Asad do të vazhdojë të qëndrojë në pozitën e tij.

Në një konferencë për media në Berlin, Seibert tha se Asad po vazhdon ta mbajë qëndrimin e tij të ashpër dhe të egër ndaj popullit të tij. “Arritja e gjetjes së një zgjidhjeje paqësore dhe stabile për konfliktin në Siri, nuk mund të realizohet nëse Asad vazhdimisht mbetet në krye”, tha ai.

Seibert shprehu qëndrimin e qeverisë gjermane se përgjegjësi kryesor i luftës së brendshme në Siri është Asadi.

“Ai është përgjegjësi kryesor i vdekjes së rreth 300 mijë personave dhe të më shumë se 5 milionë refugjatëve. Ashtu siç u dëshmua, ai përdori armë kimike, bomba fuçi dhe bomba thërrmuese. Përsëri, ashtu siç u dëshmua, i sulmoi qëllimisht objektet mjekësore. Po të mos ishte mbështetja e njohur e partnerëve ndërkombëtarë, nuk do të kishte qenë e mundur të vazhdojë këtë qëndrim agresiv dhe të ashpër ndaj popullit të tij. Regjimi i tij në asnjë mënyrë deri më tani nuk tregoi se është i gatshëm për një proces politik. Në të kundërtën ende po i beson një zgjidhjeje ushtarake. Kjo duhet të përfundojë”, tha Seibert.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Schaefer, i cili mori pjesë në konferencën për media tha se në Siri po vazhdon përdorimi i armëve kimike. Sipas tij, Rusia dhe Irani duhet t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të bindur regjimin e Asadit, për ndërprerjen e kësaj gjendjeje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme