“Nuk po gjej motivim”: Studentët hasin në vështirësi me mësimin online

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Loretta Charles-Cregan, nxënëse 18-vjeçare me nota të shkëlqyeshme, e sheh veten me fat për shkak se shkolla ia ka siguruar një laptop në mënyrë që të marrë diplomë të shkollimit të mesëm, në kohën kur ajo mbeti përkohësisht pa strehë pas vërshimit të shtëpisë së saj.

“Është e vetmja arsye pse tani mund t’i bëj punët e mia”, thotë ajo. “Ishte një e mirë në kohë fatkeqësie”, shton ajo.

Shumë nxënësve nga familjet me të ardhura të pakta, si Charles-Cregan, u mungojnë pajisjet bazike, teknologjia, për mësim online, duke përfshirë laptopin, lidhjen e mirë të internetit, si dhe qetësinë e nevojshme për t’i kryer detyrat. Por teksa universitetet me shpejtësi bëhen gati që t’i mundësojnë mësimet online në shtator, nëse vazhdojnë masat e distancës sociale, disa nxënës shqetësohen se nuk mund ta përballojnë një gjë të tillë.

“Në ankth”

Këto mundësi po e ndikojnë edhe vendimin e Charles-Cregan.

Derisa ajo planifikon të fillojë universitetin në shtator, kriza e koronavirusit e ka bërë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për një universitet të Londrës, e në vend të kësaj të rrijë më afër shtëpisë së saj në Ilford. Por kjo nuk do ta zgjidhte problemin e asaj se si do ta kryente ajo punën e saj si studente e ardhshme.

“Jam pak në ankth”, thotë ajo. “E kemi wirelessin më të lirë, që bie gjatë tërë kohës. Kur i kisha notat e shkëlqyeshme, shkoja në bibliotekë, por tash nuk mund ta bëj këtë. Jemi shumë veta në shtëpi, familja ime është mjaft e madhe, pra nuk është vend ku mund të motivohem për punë”, shton ajo.

Ekspertët e mobilitetit social paralajmërojnë se mësimi në platforma online mund t’i “frenojë” disa studentë, duke përfshirë familjet më të varfëria, ato që janë rritur në shtëpitë e përkujdesjes për fëmijë, ata që kanë përgjegjësi për t’u kujdesur për të afërmit dhe ata me aftësi të kufizuara.

Image

Një anketë e Sindikatës Kombëtare të Studentëve (SKS) ka sugjeruar se një e pesta e studentëve ballafaqohen me sfida në qasje, derisa gjysma tjetër që mbështetet në teknologji ndihmëse kanë perceptuar mungesë të mbështetjes për vazhdim të mësimit.

SKS-ja po u bën presion universiteteve për t’iu përshtatur më mirë nevojave të studentëve që po ballafaqohen me sfida, përmes qasjes nacionale në provime dhe vlerësim.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që qasja digjitale të mos shkaktojë thellim të pabarazive që i shohim në sistem arsimor”, ka thënë Anne-Marie Canning, shefe ekzekutive e organizatës së bamirësisë për mobilitet social “The Brilliant Club”.

Një zgjidhje, thotë Canning, do të ishte që universitetet t’i riorientonin bursat te studentët me të ardhura të ulëta, drejt furnizimit të tyre me pajisjet që u duhen për mësim online.

Disa universitete tashmë e kanë ndërmarrë këtë hap – Universiteti York ka krijuar një fond bamirësie për mbështetjen e studentëve për mësim online, Universiteti Coventry po i shqyrton mundësitë për t’i bërë ligjëratat e qasshme në telefona celularë, ndërsa ka edhe të tjera që planifikojnë t’u japin pajisje të internetit të gjithë studentëve me kushte të vështira.

Por Emma Hardy, ministre në hije për universitete, thotë se kreditë emergjente janë vështirë të qasshme për studentët.

“Janë të kufizuara, burokratike dhe vështirë paguhen”, thotë ajo.

Sfida, përtej natyrës teknologjike

Sfidat për studentët me kushte të vështira shkojnë përtej teknologjisë.

Sipas një hulumtimi të 2017-s, këta studentë në vazhdimësi kanë rezultate online më të dobëta sesa në klasa.

“Të mësuarit online ua rrit gjasat për braktisjen e mësimit”, kanë shkruar autorët e hulumtimit.

Chris Skidmore, ish-ministër britanik për universitete, paralajmëron se këta studentë tashmë po ballafaqohen me ndjenjat e përkatësisë dhe janë më të prirë për t’i braktisur studimet.

“Mësimi në distancë nuk duhet t’i lërë këto grupe të studentëve të distancohen përherë më shumë”, thotë ai. “Nuk mund ta përballojmë humbjen e potencialit të atyre që janë rritur në qendrat e kujdesit, atyre që kanë humbur lidhjet emocionale me prindërit, dhe atyre që janë të cenueshëm dhe që vijnë nga familjet me kushte të vështira”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme