Për pak ditë, apo, këtë të diele, me 9 nëntor, në Kosovë do të votohet për herë të tretë në harkun kohor prej nëntë muajsh, apo, prej 9 shkurtit, kur së pari u votua në zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Duket që deri në fund të këtij viti do t’ia mësymë qendrave të votimit edhe një herë, nëse në ndërkohë nuk do të krijohet Qeveria e Kosovës.
Për më shumë, ka vlerësime dhe supozime që as këto zgjedhjet e katërta të këtij viti të pashoq në historinë e demokracisë kosovare (në të gjitha aspektet e mundshme, të cilat janë të njohura për të gjithë ne), nuk do të sjellin qartësinë e shumë dëshiruar politike e cila pastaj do të çelte rrugë për krijimin e Qeverisë së Kosovës dhe madje, për zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes të Kosovës, jo më larg se në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm.
Pra, (e neve nuk na dihet në këtë aspekt) për 13 muaj do të mund të ndodhë që pesë herë të votojmë për pushtetin qendror dhe lokal, gjë që do të na bënte shembull (për të keq, të kuptohemi) në rajon dhe më gjerë.
Pastaj, kush mund të garantojë sot që më në fund, pas këtyre zgjedhjeve të treta të përgjithshme brenda një viti e pak më shumë, do të krijohen rrethanat për të mbërri tek dy votat kualitative për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës (së paku tetëdhjetë deputetë duhet të votojnë në dy rrathët e parë), dhe për atë të Qeverisë së Kosovës (së paku 61 vota duhet ta mbështesin Qeverinë).
A do të thotë kjo që ne do të mbajmë zgjedhje parlamentare deri sa të mos arrijmë disi tek formula që sjell qartësi, siguri dhe stabilitet parlamentar?
E çka do të bëhet në ndërkohë me qytetarët e Kosovës, me këtë shtet (tek e fundit).
Shteti i Kosovës, për shkaqe të cilat i dimë të gjithë ne, ka pasur një lindje a një krijim shumë të vështirë dhe të ndërlikuar. Për këtë shkak, edhe Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni bazë, është dashtë të shquhen me formulime dhe me përmbajtje e cila është shumë e rrallë në këto anë të Botës.
Por, atëbotë është menduar dhe vlerësuar që ai dimensioni i brendshëm politik i gjithë kësaj ndërmarrjeje vendore dhe ndërkombëtare që pati si epilog shpalljen e shtetit të Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008, do të jetë mbizotërues, apo që ndërlikueshmëria legale do të adresohet disi me thjeshtësinë politike të kryeprotagonistëve të politikës kosovare, të cilët do të jenë gjithsesi të interesuar që të krijojnë pushtetin në nivelin qendror dhe në atë lokal.
Ky supozim ka qenë i arsyeshëm në atë kohë.
Kush ka mundur të llogaris në ato vitet para se të bëhemi shtet, që do të mbërrimë në një stad (të thuaja gjithë këtij viti 2025), kur do t’ia lidhim duart dhe këmbët vetvetes, apo që do ta paralizojmë veten, gati në të gjitha format e mundshme.
Zgjedhjet, e lira dhe demokratike (e këtu së paku jemi të mirë, më të mirët në rajon), natyrisht, në çdo variant janë kusht pa të cilin nuk bën për themelimin e pushtetit qendror, i cili kësaj here do të nënkuptojë jo vetëm Kuvendin dhe Qeverinë, por edhe Presidencën.
Ky është ai dimensioni i legjitimitetit të pushtetit.
Gjithsesi, pastaj, respektimi i Kushtetutës dhe kornizës ligjore, është tjetër kusht për të cilin as që bën të diskutohet.
Ky është ai dimensioni i legalitetit të pushtetit.
Por është edhe ai dimensioni i tretë, i cili vjen në shprehje gati gjithmonë (përjashtim këtu kanë bërë vetëm zgjedhjet e vitit 2021, dihet pse), e cili mund të klasifikohet si dimensioni i pastër politik që fund e krye njeh potencialin negociator të liderëve dhe të partive politike për të arritur tek ‘shifrat magjike’ parlamentare që vulosin zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, të Qeverisë dhe të Presidentit të vendit.
Ky dimension politik është zhdukur plotësisht gjatë këtij viti, prandaj edhe gjendemi në situatën e vendnumërimit dhe të ngërçit politik.
Pa ri gjetjen e tij, nuk do të na shkruhet mirë, pa marrë parasysh sa palë zgjedhje do t’i mbajmë në ndërkohë.