Deputetët e Kuvendit të Kosovës për herë të 34-të dështuan të konstituojnë përbërjen e re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
PDK-ja, LDK-ja AAK-ja dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.
Vazhdimi i radhës i seancës do të mbahet të shtunën, më 21 qershor.
Haxhiu: Mungesë përgjegjësie e opozitës, Gjykata Kushtetuese është vonuar
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e vullnetit nga opozita po e pengon konstituimin e institucioneve dhe po e thellon krizën politike në vend, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka akuzuar opozitën për mungesë përgjegjësie dhe për shkelje të Kushtetutës.
“Ne gjatë kësaj kohe për asnjë moment nuk kemi parë një ndryshim të qëndrimeve nga ana e opozitës. Kemi parë mungesë të theksuar të vullnetit për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit. Kjo është sjellje e papërgjegjshme politike. Po ashtu është shkelje e Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Qëndrimi i Vetëvendosjes është i qartë: Kuvendi duhet të konstitutohet. Nëse ne nuk do ta bëjmë propozimin për kryetar të Kuvendit kjo do të quhej bllokim, do të quhej mbajtje peng e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi në të drejtën tonë kushtetuese”, tha Haxhiu.
Çitaku: Kosova është marrë peng nga kryeneçësia e Kurtit dhe ambiciet e Haxhiut
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se kjo gjendje është pasojë e mungesës së përgjegjësisë dhe ambicieve personale, duke theksuar se Kosova po paguan çmimin e kësaj sjelljeje politike.
“Kosova është marrë peng nga kokëfortësia, kryeneçësia, papërgjegjësia e Albin Kurtit dhe e Vetëvendosjes. Nuk ka fije logjike që institucionet e Kosovës të mos konstituohen në mënyrë që të jemi në gjendje të adresojmë sfida të shumta, hallet e shumta të qytetarëve, për shkak të kryeneçësisë së Kurtit dhe ambicies së Haxhiut. Kosova është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme sesa secili prej nesh”, tha Çitaku.
Haziri: Vetëvendosje ta menaxhojë detyrën përmes një marrëveshjeje politike
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se njerëzit po e shohin me neveri rrjedhën e seancës konstituive.
Ai tha se partia e parë duhet ta menaxhojë detyrën përmes një marrëveshjeje politike, raporton Ekonomia Online.
“Edhe deputet, edhe ministër është abuzim i pastër me pushtetin. Ministrat po shihen më shumë në prokurori sesa në zyra të qeverisë. Duhet të sanohet, duhet të largohet konflikti i interesit. Edhe kjo e ngarkon dhe mund të ndikojë në arritjen e një marrëveshjeje politike”, tha Haziri.
Ai u ndal edhe në deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump se do t’i kthehet dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përmes një qeverie kalimtare duhet të jemi gati”, tha Haziri.
Haradinaj akuzon Kurtin për “mashtrim politik”: Gjithë ne tjerët jemi peng i tij
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e cilësoi situatën politike si pasojë të drejtpërdrejtë të, siç e quajti ai, “mashtrimit politik” nga Albin Kurti, që po e mban Kosovën peng.
Haradinaj tha se kjo situatë është pasojë e mungesës së përgjegjësisë dhe i manipulimit të opinionit.
“Për fat të keq, jemi duke paguar çmimin se i kemi besuar një mashtruesi. Për mua nuk është befasi, ju e dini vlerësimin tim për të, por edhe kjo situatë duhet të marrë fund. Mashtruesi s’mundet pa kufi që të tallet me një vend. Gjithë ne tjerët jemi peng i tij,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se takimet dhe zhvillimet e fundit politike janë vetëm një farsë, dhe se Kosova po dëmtohet vazhdimisht nga mungesa e zgjidhjes.
“Këto takimet, përrallat janë, veç hajgare. Një njeri është duke mbajtur peng Kosovën e duke i bërë të këqija,” u shpreh Haradinaj
Limaj pas takimit me Abdixhikun: Diskutuam hapur për të gjitha temat, një bisedë shumë pozitive
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, konfirmoi se zhvilloi një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar si një ndër bisedimet më të hapura dhe konstruktive kohët e fundit, raporton Ekonomia Online.
“Po, jam takuar, kemi biseduar të gjitha temat, kemi pasur një bisedë shterruese dhe mund të them që ka qenë një takim jashtëzakonisht i mirë. Të gjitha temat që e preokupojnë Kosovën, zhvillimet në Kosovë, prej zhvillimeve politike, ekonomike, rajonale…
E rëndësishme është që në shumë drejtime kemi një këndvështrim dhe e rëndësishme që po ndodhin gjithë takimet. E rëndësishme është që do të vazhdojmë të takohemi. Po ka qenë edhe kjo temë interesante. Kemi biseduar (për qeverinë e unitetit), besoj që edhe në ditët në vijim do të takohemi,” tha Limaj.