Në dy javët e fundit, një epidemi e gripit e ka përfshirë Kosovën. Më të prekurit janë fëmijët dhe të moshuarit. Gripi ka alarmuar edhe shkollat.
Mësohet se Ministria e Arsimit në bazë të një rekomandimi të IKSHP-së ka rekomanduar të gjitha institucionet edukativo-arsimore që ta përcjellin gjendjen e nxënësve dhe ata me shenja të gripit të mos shkojnë në shkollë. Mbi 70 nxënës po mungojnë në ditë në Sh.F.M.U. “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.
“E kemi marrë edhe atë urdhëresë të MASHT-it, por komuna e Prishtinës ka dy javë që na ka urdhëruar që t’i përcjellim ankesat e nxënësve. Përafërsisht që dy javë në shkollë mungojnë prej 70 deri në 75 nxënës që nuk është e zakonshme për statistikat tona. Ne mbajmë statistika, dhe më herët kanë munguar maksimumi 20 nxënës. Në shkollën tonë janë 1200 nxënës. Këto mungesa kanë të bëjnë me përhapjen e gripit, pasi ne çdo herë ua thërrasim prindërit nxënësve dhe po shohim që ata po mungojnë për këtë arsye”, tha për lajmi.net Shpresa Shala, drejtoreshë në SHFMU “Xhemail Mustafa” në Prishtinë.
Ndërkaq, Skënder Llalloshi, drejtor në Sh.F.M.U. “Gjergj Fishta” në Prishtinë, tha se shkolla e tyre numëron rreth 1065 nxënës dhe se kohëve të fundit është rritur numri i mungesave për shkak të gripit. “Në këto dhjetë ditët e fundit ka mungesa shumë më të theksuara. Minimumi i nxënësve që mungojnë është 32, ndërsa maksimumi 38 ka qenë”, tha drejtori Llalloshi, për lajmi.net.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, para pak ditëve ka informuar se gjatë javës së pestë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 6.451 raste të gripit (Incidenca=353,7 /100.000), që paraqet rritje prej 55.5% krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve.
Në bazë të situatës aktuale, Instituti Kombëtar konstaton se kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal.