Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që gjatë kësaj jave të përfundojë numërimin e të gjitha votave, raporton Ekonomia Online.
Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë konferencës për medie.
“Ju njoftoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi kemi pranuar materialin zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, po bëhet futja e të dhënave në sistem nga formularët e rezultateve të kandidatëve për Kryetar Komune”.
“Pas përfundimit të procedurave në QNR, do të kemi një listë të saktë të numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke bërë verifikimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor. Gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Gjatë procesit të verifikimit do të kemi një pasqyrë të qartë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve dhe nëse janë dërguar nga votuesit që i takon listës votuese jashtë Kosovës”.
“Pasi të përfundojnë të gjitha këto aktivitete, atëherë do të fillojmë me numërimin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura me postë. Kjo do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim dhe planifikojmë ta përmbyllim gjatë kësaj jave”.
Elezi tha se KQZ-ja është duke u munduar t’i kryej sa më shpejt obligimet e tyre. Për t’u përgatitur për periudhën e balotazhit.
“Duke e ditur se raundi i dytë i zgjedhjeve, sipas ligjit për Zgjedhjet Lokale, duhet të mbahet 4 javë pas raundit të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me Zgjedhjet për Kryetar të Komunave, pra për të shpallur dhe certifikuar rezultatet përfundimtare të tyre, në mënyrë që të arrijmë afatet ligjore”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta përcaktojë me vendim periudhën e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatë e tyre që për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave”.
“Sa i përket Zgjedhjeve për Kuvende Komunale, ju njoftoj se këtu në QNR është duke u bërë futja në sistem e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve”.