Parlamenti i Serbisë pritet të mos ketë asnjë zë shqiptar në legjislacionin e ri.
Nga numërimi i rreth 98.73 përqind të votave, partitë shqiptare nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë ulëse në Parlamentin e Serbisë, shkruan Reporteri.net.
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (REC), Lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i udhëhequr nga Shaip Kamberi ka marrë 0,26 për qind apo 9654 vota, duke mos e siguruar aktualisht asnjë deputet.
Ndërkaq lista tjetër e shqiptarëve Alternativa për Ndryshim – Alternativa Demokratike Shqiptare ka arritur të grumbullojë 0.09 për qind, apo 377 vota.
Kandidati për deputet Shaip Kamberi kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në Luginën e Preshevës, derisa fajësoi Serbinë për pasivizimin e vendbanimeve të shqiptarëve në Luginë që ua pamundësoi të drejtën për të votuar.
“Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës. Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve. Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa reserve”, ka shkruar Kamberi.
Në anën tjetër bartësi i Alternativës Demokratike Shqiptare, Shqiprim Arifi ka thënë se arsyeja e bojkotit të zgjedhjeve në Luginë të Preshevës është si rezultat i shkeljes së marrëveshjes së Tiranës nga ana e Shaip Kamberit.
Ndaj fjalëve të Arifit, ka reaguar Kamberi i cili ka thënë se është problem pse bartësi i Listës nga Lugina nuk e uron fitoren e Listës së tij.
”E as që hesht për debaklin e tij zgjedhor duke akuzuar Shqipërinë, Kosovën ose mua. E fundja as që votoj për President të Serbisë, të cilin e bojkotuan pjesa absolute e shqiptarëve. Çështje e tij. Por, problem mbetet që nuk e sheh diskriminimin dhe shtypjen shtetërore si shkaktarët kryesorë të gjendjes në Luginë, që u shfaq tash edhe në procesin jodemokratik zgjedhor, përmes pasivizimit të vendbanimeve dhe shlyerjes së shqiptarëve nga listat votuese”, ka shkruar Kamberi në ”Facebook”.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës garuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Serbi me dy lista.
Shaip Kamberi para disa ditësh pati deklaruar se shqiptarët synojnë të kenë së paku tre deputetë në Kuvendin e Serbisë.
Për dallim nga këto zgjedhje, në zgjedhjet e kaluara ministri shqiptar i Jashtëm i asaj kohe, Gent Cakaj kishte punuar shumë duke unifikuar faktorin shqiptarë të cilët kishin garuar në një listë të përbashkët zgjedhore.