Numrat e Qeverisë së re LDK- AAK- Nisma: Gjithçka varet nga Lista Serbe, 4 deputetë të LDK-së që pritet të votojnë kundër

Prishtinë | 22 Pri 2020 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e re e Kosovës, e cila është paralajmëruar se mund të formohet qysh javën tjetër, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike, do të jetë “ngusht” me numra.

Nëse kalkulohen votat që aktualisht kanë grupet Parlamentare LDK (28), AAK (13) e Nisma (6) dhe minoritetet jo serbe (10), pa Listën Serbe, atëherë do t’i kenë vetëm 57 vota, të pamjaftueshme për formimin e qeverisë së re.

E, nëse kësaj i shtohet fakti se janë hiq më pak se 4 deputetë të LDK-së që s’do ta votojnë këtë qeveri, atëherë gjithçka do të varet nga Lista Serbe.

Pra, koalicioni LDK- AAK- Nisma pa Listën Serbe, vota reale i ka vetëm 53. Ndërkaq, koalicioni mund të formohet nëse këtij koalicioni i bashkohet edhe Lista Serbe, që qeveria do t’i kishte 63 vota në Kuvend.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nuk do ta votojë koalicionin me AAK-në dhe Nismën. Osmani edhe në Këshillin e Përgjithshëm ka votuar kundër këtij koalicioni.

Pos Osmanit, edhe deputeti Haxhi Avdyli nuk do ta votoj një koalicion me partinë e Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, raporton gazetablic.

Janë edhe dy deputetë tjerë të partisë së drejtuar nga Isa Mustafa, që sipas burimeve të Gazeta Blic nuk do të votojnë pro një koalicioni të tillë, e ata janë deputeti Fatmir Rexhepi dhe Ardian Shala.

“Pra, aktualisht janë katër deputetë që po e kundërshtojnë një koalicion të tillë. Ata janë: Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Ardian Shala e Fatmir Rexhepi. Të gjithë këta, edhe në Këshill të Përgjithshëm kanë votuar kundër një koalicioni”.

Dje është raportuar se pritet që gjatë ditës së sotme të mbahet një takim ndërmjet Isa Mustafës e Hashim Thaçit, takim ky që do t’i paraprinte dhënies së emrit të mandatarit.

Ndonëse ishte paraparë që ky takim të mbahej dje, mirëpo është shtyrë për shkak se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka probleme shëndetësore.

Të ngjashme