Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se numri i turistëve në Kosovë në muajin qershor është rritur për afër 30 për qind. E sipas tij, ky është një lajm shumë i mirë për vendin.
Sogojeva tha se Kosova është destinacion i shumë turistëve, si një vend i pa eksploruar ende, mirëpo asnjë qeveri nuk i ka kushtuar rëndësi dhe nuk e ka pasur prioritet sektorin e turizmit.
Sogojeva tha se duke u bazuar në statistikat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në muajin qershor të këtij viti është rritur numri i atyre që kanë vizituar Kosovën, e sipas tij, vendi çdo vit po ka rritje të numrit të turistëve.
“Nëse i referohemi Agjencionit të Statistikave dhe e marrim muajin qershor pa korrikun edhe gushtin, kemi diku afër 30 për qind, 29 për qind rritje të numrit të turistëve. Edhe ky është një lajm i mirë, se për çdo vit kemi rritje të numrit të turistëve”, tha ai.
Sipas Sogojevës, Kosova ka potencial për turizëm e vetëm në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz brenda vitit shkojnë afër 1 milion turistë.
“Kjo tregon se Kosova edhe me këto kushte që i ka edhe me këto probleme që i ka, megjithatë është një destinacion i kërkuar prej turistëve të jashtëm sepse është ende si destinacion i pa eksploruar. Dihet se Kosova njihet me potenciale të mëdha turistike, pavarësisht a janë natyrore, a janë kulturore, a historike. Për shembull e kemi vetëm kompleksin memorial “Adem Jashari” i cili afër 1 milion turist brenda viti e vizitojnë”, tha ai.
Kryetari i OHT-së theksoi se asnjë qeveri, as të kaluarat e as qeveria Kurti nuk i kanë kushtuar rëndësi sektorit të turizmit.
Sipas tij, shteti ende nuk e ka kuptuar se sa profitabil është ky sektor. Ai shtoi se ky sektor duhet që të futet si veprimtari me prioritet dhe të investohet më shumë.
“Fatkeqësisht asnjë qeveri, as ato të parat, as kjo e sotmja nuk i ka kushtuar rëndësi turizmit. Me plotë përgjegjësi si ekspert i kësaj fushe po ju them se edhe shteti ende nuk e ka kuptuar se kjo veprimtari është veprimtari shumë profitabile. Deri më tani asnjë herë nuk e ka pasur veprimtari me prioritet.
“Turizmi duhet të futet si veprimtari me prioritet, zhvillim me prioritet, për të qenë e mundur që gjithë infrastruktura, duke filluar nga ajo ligjore, fizike e të tjera me e rregullu që Kosova nesër e pasnesër të jetë potencial, ose destinacion atraktiv tërheqës për vizitorët”.
“Edhe krejt këto që i shohim sot, hotelet, restaurante, pishina, krejt këto janë falë sektorit privat. Shumë pak ka bërë shteti që të ketë një zhvillim më të mirëfilltë në hoteleri dhe turizëm”, tha ai, për EO.