Sistemi patriarkal i organizimit shoqëror ka qenë dominant në gjithë historinë e shoqërisë njerëzore. Madje edhe periudha e bredhjes para-bujqësore, që shkenca i referohet si matriarkat, në bazë të hulumtimeve të fundit, del të jetë kontestuese për dominimin apo sundimin eventual të gruas mbi burrin. Shpërndarja e njerëzve në gjithë rruzullin dhe shkëputja e komunikimit ndërmjet grupimeve, tashmë të ndryshme njerëzore, krijuan shumë lloje kulturash materiale e shpirtërore. Varësisht prej pozitës gjeografike dhe kushteve klimatike, këto kultura të ndara patën ngritje të niveleve të ndryshme zhvillimi deri kur u ritakuan dhe morën e dhanë nga njëra-tjetra për të arritur në shkallën ku jemi sot. Megjithatë, gjatë gjithë kësaj historie mijëvjeçare, deri në kohën bashkëkohore (shekulli i fundit), e përbashkëta e të gjitha këtyre kulturave të ndara, e pastaj edhe të ribashkuara, ka qenë sistemi i dominimit të mashkullit mbi femrën, respektivisht, sistemi patriarkal.
Siç e thamë më lartë, ribashkimi i këtyre kulturave të ndara nën ‘një’ perandori të vetme dominonte (shek. XVIII-XX) bëri që përvojat dhe teknikat e ndryshme të çojnë përpara drejt revolucionit kulturor iluminist dhe atij teknik-industrial deri në shkallën e teknologjisë elektronike. Si rrjedhojë e zhvillimit të shkencës emancipimi kulturorë i shoqërisë njerëzore u bë ireverzibil. Më herë, sikurse dhe tani, kishte raste të shpeshta të kthimit mbrapa nga aspekti kulturorë, por historia nuk ka shënuar kthim së prapthi në zhvillimet teknike. Prandaj ndërthurja e kulturës me shkencën bëri që sistemi patriarkal të tronditet seriozisht në shekullin e fundit. Kjo goditje u manifestua sidomos në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, dhe thuajse nuk la shoqëri dhe kulturë njerëzore pa e përfshirë…
Sidoqoftë, në disa vende, për shkak të rrethanave të ndryshme, pat ngecje emancipuese dhe si rezultat sistemi patriarkal akoma është dominues në shoqëri, edhe pse jo siç ishte dekada më parë
Në këtë grup të shoqërive patriarkale është edhe populli ynë. Megjithatë, edhe sistemi patriarkal i trashëguar gjer më sot i ka pasur disa specifika të veçanta ndër ne, madje mjaftë interesante. Prej tyre janë edhe përgjigjet unike ndaj kontradiktave dhe sfidave të ndryshme shoqërore, familjare dhe individuale.
Prej kohësh tek ne shqiptarët është i njohur “kulti i bajraktarizmit”, në rastet e marrjes së meritave, dhe ai i “fajit jetim” tek marrja e përgjegjësive. Sigurisht, të dyja këto fenomene i kanë arsyet sociologjike të shfaqjes së tyre ndër ne edhe në kohën moderne. Njëra ndër to është mungesa e shtetit, respektivisht traditës së tij. Tash kur kemi shtet prej dekadash, e traditë institucionale prej shekujsh, pavarësisht shkëputjeve kohore, emancipimi kulturorë ishte dashur ta zhdukte kultin e bajraktarizmit ndërkaq fajet eventuale do duhej t’ia adresonte sistemit të drejtësisë, pa i lënë ato jetime.
Sido që të jetë, “jemi ku jemi”, ndërkaq rrjedhat e historisë edhe në modernizëm i mbushin faqet e etnokulturës (etnografisë) sonë përplot specifika patriarkale. Madje disa prej tyre, gjykuar në bazë të gjurmëve dhe thellësisë retrospektive, e kontestojnë plotfuqishmërinë e sistemit në fjalë, duke i dhënë atij tipare gjysmë-patriarkale prej shumë kohësh.
Po e marr një shembull nga tradita gojore e përcjellë prej shumë brezash, megjithëse një gjë të tillë prindërit tanë, madje edhe disa prej nesh e kemi përjetuar. Bëhet fjalë për marrjen e meritave dhe hedhjen e fajit në një kontekst pak më të ngushtë, pra familjarë. Siç është përcjell në traditën tonë gojore, raportimet para të zotit të shtëpisë kanë qenë diçka e rëndomtë në familjet tona; zakonisht meritat i merrnin bijtë e mëdhenj dhe eventualisht nuset e tyre apo dhe bijat (që akoma ishit çika), ndërkaq fajet i liheshin bijve të vegjël ose nuses më të re në familjen e madhe tradicionale. Kështu përmendet edhe një rast mjaft interesant, përjashtues nga ky rregull. Kur babëloku (i zoti i shtëpisë), në një pasdreke vjeshte, kishte shkuar për t’u solidarizuar me “robërit” e shtëpisë në punët e arave, kishte parë se punët nuk ishin kryer ashtu siç ai i kishte mësuar. Ndërsa vëzhgonte cep më cep arën hektarëshe me misër, pyeste jo rrallë se kush kishte korrur këtu ose atje. Përgjigja ishte unike, herë nusja e sugarit tënd, e herë reja jote. Sipas traditës, plaku i mençur nuk u bënte zhurmë problemeve por priste t’u jepte zgjidhje në shtëpi. Kur kthehen në shtëpi, po ashtu sipas zakonit, shtrohej darka e lamës dhe të gjithë anëtarët uleshin së bashku për të ngrënë. Në tryezën e pasur, pas punëve të rënda, natyrisht ishte i domosdoshëm mishi. Meqë akoma koha nuk ishte e pastermave, shërbehej mish qengji ose mish pule. Në këtë rast që është transmetuar bëhet fjalë për këtë të dytën. Në mes të sofrës, kaverdisur në hell, dy gjela të mëdhenj prisnin dorën e babëlokut për t’u ndarë. Gjella nisë të soset, atëherë plaku kërkon gotën e vet për të pirë ujë. Për çudi, i thonë se edhe ajo ishte thyer nga nusja. Plaku i mençur fshonë pak dhe nisë ndarjen e mishit: bujrëm nuse! Dhe e shërben nusen me pjesët më të mira dhe më vitale të mishit (shpatullat, kaçik e mbaskaçik). Ndërkaq, pjesën tjetër ia ndanë zonjës së vet dhe vetes. Pason reagimi i “robërve” të tjerë për këtë ndarje jo korrekte, sipas tyre?! Atëherë i zoti i shtëpisë iu tregon arsyen e kësaj risie: Ju pyeta kush e kishte zhvoshë e korrë kallamoqin (misrin) kaq keq, lënë shumë gjatë e shumë shkurt, këtu e atje… Të gjithë ia latë fajin nuses. Që dmth se nusja paska punu e ju paskeni këqyr seri. Edhe këtu në shtëpi, kush theu bardakun, kush djegu tepihun, kush sosi bukën, përgjigja e njëjtë: Nusja! Pra vetëm nusja po punuaka në këtë shtëpi, vetëm ajo po i bëka të gjitha dhe prandaj ajo merr shpatullat ndërkaq ju merrni qafen e jadecin dhe gërryeni dhëmbët…
Siç vihet re në këso episodesh jo shumë të largëta, edhe në sistemin patriarkal ka përjashtime për të mirë, edhe pse nusja mbetet personazhi që nuk flet, por që del fituese kur ajo është soj dhe kur i zoti i shtëpisë është i qetë dhe i mençur në gjykim.
Shikuar nga ky shembull i traditës, qoftë si individë, qoftë si familje, qoftë si shoqëri, ne shqiptarët kemi prirje për t’i përvetësuar meritat e bajraktarizmit, për të lënë fajin jetim dhe, në raste më ekstreme, për t’ia ngarkuar atë dikujt tjetër.
Kjo gjendje patriarkalizmi reflektohet edhe në organizimin tonë më të gjerë, institucional e shtetërorë. Rastin e fundit e patëm tek “njohja” që na erdhi si një “utopi” nga shteti ishull i Xhamajkës. Thuajse të gjithë krerët shtetërorë e institucional, brofën në kapjen e meritave për këtë njohje të re shtetërore. Dhe nuk zgjati as 24 orë, e kjo ngarendje, siç duket për fajin e bajraktarizmit tonë gjenetik të çmendur, u kthye në dëshpërim e skandal të madh diplomatik, sigurisht me pasoja për shtetin që akoma nuk po arrijmë ta konsolidojmë si duhet. E siç e do zakoni, nuk u hesht dhe as nuk u kërkua falje, por as faji nuk u la jetim. Ai iu hodh “Nuses së Xhamajkës”, e cila, me sa duket ua kishte komunikuar këtë lajm në besë, respektivisht për t’a komunikuar publikisht në momentin e duhur, pas mbërritjes së notës verbale. Ai moment, siç e pamë nuk erdhi, dhe e keqja nuk meti këtu. Nusja e Xhamajkës, me shumë gjasë edhe në raste të tjera, nuk e pati një zot shtëpie të mençur për të heshtur e për të folur në momentin e duhur të mbledhjes në tryezë. Ajo nuk mori shpatullën por jadecin me të cilin nuk është e sigurt se mund ta fitoj bastin eventual të radhës.
(Autori është gazetar i pavarur)