Nxehti ‘saharian’ edhe sot në Kosovë e Shqipëri

Prishtinë | 22 Qer 2024 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Për të shtunën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës, ndërsa gjatë orëve të pasdites priten vranësira të pjesshme, të cilat në zona të caktuara pritet të sjellin ndonjë rrebesh të izoluar.

Pluhuri Saharian, sipas Meteo Kosova, do të vazhdojë edhe të shtunën, me ç’rast pamja e qiellit do të jetë pak a shumë e turbullt, e në zonat me të reshura do të jenë të përziera me baltë.

Era do fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila në momente të caktuara pritet të jetë e fuqishme, veçanërisht aty ku ka zhvillime të vranësirave, me shpejtësi prej 10-45 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 34 deri në 37°C, njofton MK.

Edhe në Shqipëri, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton për një mot të nxehtë me temperatura të lartë që shkojnë deri në 40 Gradë.

“Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të vijojë të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të nxehta dhe të thata me origjinë nga shkretëtira e Afrikës së Veriut”, njofton ky shërim.

Megjithatë në njoftim thuhet se dita e sotme Anticikloni Afrikan fillon gradualisht tërheqjen e tij duke i lënë vendin masave ajrore më të freskëta dhe relativisht më të lagështa me origjinë veriperëndimore.

Temperaturat edhe nesër do të vijojnë të jenë relativisht të larta. Ndërsa për ata që do ta kalojnë fundjavën në bregdet era do të jetë pak “problematike” pasi në mesditë deri në orët e pasdites (dhe kryesisht ditën e Diel) do të fryjë me shpejtësi mesatare 3-7m/s dhe me rrahje deri në 10m/s dhe drejtim kryesor nga kuadrati i veriut.

Temperaturat më të ulëta do të jenë në Dibër dhe në pjesën veriore 22 Gradë Celsius, ndërsa më të lartat në Fier e Elbasan 39 Gradë.

Të ngjashme