26 669 maturantë, në të gjithë vendin po i nënshtrohen Testin të Maturës, i cili ka filluar në ora 10:00 dhe do të përfundojë në ora 12:30, raporton Ekonomia Online.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, testi në gjimnazin Sami Frashëri në Prishtinë po mbahet duke respektuar masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet e shëndetësisë, ku në secilën klasë numri maksimal është 12 nxënës.
Jetmi Demiri, ka treguar se për shkak të informimit të vonshëm sa i përket testit të maturës nuk janë përgatitur sa duhet.
“Duke marrë parasysh se për mbajtjen e testit na kanë treguar dy javë më herët ne nuk jemi përgatitur shumë, mirëpo ka qenë rrezik puna e virusit që të mbahet testi në këtë periudhë, por ministria e ka paraparë kështu dhe ne po e mbajmë testin. Emocionet nuk i lë të më ndikojnë në vendimet e mija për përgjigje. Masat janë duke u respektuar”.
Kurse Leandra Brovina tha se nuk ka emocione sepse pyetjet janë logjike dhe se po mundohen që të respektojnë masat anti-Covid.
“Mu përgatit jemi përgatit për aq sa kemi pasur kohë dhe lajmërimi na ka ardhur në kohë të shkurtër. Emocione nuk kam shumë sepse pyetjet janë logjike”.
“Na po mundohemi të respektojmë masat, por duke marrë parasysh numrit e madh të nxënësve nuk mendoj se është praktike”.
Drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Fetah Fejzullahu ka thënë se testit të maturës po i nënshtrohen 319 nxënës në gjuhën shqipe dhe 16 në gjuhën turke për vitin 2020.
Sipas tij, ne çdo klasë janë 12 nxënës për shkak të virusit.
“Në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ janë duke i nënshtruar testit 319 nxënës me mësim në gjuhën shqipe dhe 16 në gjuhën turke. Këtu i kemi 188 nxënës sepse ministria e Arsimit ka konstatuar se brenda objektit mos me qenë shumë nxënës”.
“I kemi 188 nxënës, administruesit kanë ardhur me kohë dhe zyrtaret e ministrisë. Nxënësit u munduam t’i vendosim me kohë në klasat e veta nga 12 janë në klasa. Po i presim kryesuesit për t’i shpërndarë testet”.
Ai tha se janë të organizuar për mbajtjen e testit të maturës në përpikëri dhe se janë marrë të gjitha masat, raporton EO.
“Organizimi është i vështirë sepse nxënësit kanë arritur të mbajnë distancë, por ia dalim dhe drejtoria komunale i ka furnizuar me maska. Na i kemi pasur të gatshme dy hyrje, dezinfektues ka në klasë”.
“Nxënësit që kanë mbetur jashtë janë në riprovim dhe listat janë dërgua mbrëmë herët në mistri janë 8 nxënës dhe i nënshtrohen afatit të dytë”.
Testi i Maturës po organizohet në 184 qendra të testimit, në 30 komuna të Kosovës dhe për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar 2 568 administrues, 570 komisionerë, 570 mbikëqyrës dhe nga 3 mësimdhënës në secilën qendër.