Organizata “Let’s Do It Kosova” ka organizuar aksion pastrimi në Lipjan. Aksionit iu bashkua edhe kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, si dhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se ky aktivitet është shumë i rëndësishëm dhe se shpreson që ka ndikuar për të mirë që qytetarët të sensibilizohen për mbrojtjen e ambientit, raporton EkonomiaOnline.
“Falënderoj Luanin bashkë me organizatën e tij për aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’ sot në Lipjan, është një aktivitet jashtëzakonisht me vlerë dhe shpresojmë që ka ndiku të rris gradualisht vetëdijesimin e qytetarëve tanë për mirëmbajtjen e ambientit”, tha Ahmeti.
“Aksionet e tilla janë simbolikë e asaj që të vazhdohet pastaj edhe me investimet e komunave dhe presioneve të ndryshme të qeverisë në mënyrë që vërtetë të krijojmë një ambient sa më të pastër”, tha ai.
“Në Lipjan ka pasur një varg aktivitetesh të tilla të cilat kanë ndikuar pozitivisht që të kemi një ambient më të pastër dhe do të provojmë që edhe në vazhdim të angazhimeve tona të punohet më shumë në këtë sferë dhe të punohet për mbrojtjen e ambientit”, shtoi Ahmeti.
Ndërsa, Luan Hasanaj nga Let’s Do It Kosova tha se Komuna e Lipjanit është shembull për mirëmbajtjen dhe gatishmërinë për të pastruar komunën e saj, raporton EO.
“Është kënaqësi e madhe me qenë në një mjedis të tillë ku shumë vullnetarë bashkohen për një fushatë që ka për qellim të bëj të mira për vendin”, tha Hasanaj.
“Ne me shumë qef kemi ardhur këtu dhe bashkërisht po mundohemi ta pastrojmë një deponi por edhe disa hapësira që janë në qendër të Lipjanit. Kjo komunë është model i mirë kur flasim për angazhime të tilla, gjithmonë gjejmë mbështetje dhe përkrahje prej komunës në të gjitha format që ne i kërkojmë dhe shpresojmë që ky angazhim që po shihet sot të përfundoj me një Lipjan të pastër dhe bashkë me Lipjanin edhe me një Kosovë më të pastër”, tha Hasanaj.
“Sot janë në disa komuna që po zhvillohen aktivitete është në Malishevë, Istog, janë shumë aktivitete që po i realizojnë disa biznese, është kompania ETC që në pesë komuna sot më punëtorët e saj i është bashkuar aksionit dhe kështu do vazhdojmë gjatë gjithë javës. Nesër do të jemi në Obiliq, në Prishtinë pra nuk do të ndalemi deri sa të arrijmë objektivin tonë që Kosovën ta bëjmë të pastër”, përfundoi Hasanaj.