Rreth 250 nxënës të Vitisë të shkollave të mesme u bënë pjesë e një ligjërate e cila kishte për qëllim promovimin e vlerave demokratike për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Nën organizimin e Policisë së Kosovës, është mbajtur një ligjëratë kundër ekstremizmit që shpien në terrorizëm, në të cilën kanë marrë pjesë, përfaqësues nga Drejtoria Kundër Terrorizmi në kuadër të PK’së në Prishtinë, përfaqësues nga Këshilli i Bashkësisë Islame, sociologë e teologë, përfaqësues nga institucionet e nivelit lokal, sikurse edhe nxënës të shumtë e arsimtarë të shkollave fillore dhe të mesme të Vitisë.
Ligjërata me temë “Parandalimi i Ekstremizmit duke promovuar vlerat demokratike”, është mbajtur në ambientet e shkollës së mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti, ku ligjërues ishin edhe përfaqësues nga Drejtoria kundër Terrorizmit.
Në këtë takim, ndër të tjera u tha se të gjitha institucionet e sigurisë këtë fenomen e kanë marrë me shqetësim, duke e bërë objektiv parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm derisa u bë thirrje nxënësve e të tjerëve që të bashkëpunojnë për parandalimin e këtij fenomeni negativ.