Nxënësit nga Lipjani pjesë e garave të robotikës në ShBA, përveç Komunës kërkojnë mjete edhe nga Ministria

Lipjan | 17 Maj 2023 | 14:35 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nxënësit e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan, me katër projekte në fushën e robotikës, janë përzgjedhur për të marrë pjesë në garat e kësaj fushe në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Ekonomia Online.

Teksa komuna u ka premtuar se do t’i mbulojë shpenzimet për gjashtë nxënës, drejtori i kësaj shkolle,  Jakup Bahtiri, ka kërkuar që Ministria e Arsimit ta financojë pjesën tjetër.

Bahtiri ka thënë se e gjithë kjo po ndodh për shkak të plainifikimit jo të mirë.  Shkolla fillimisht ka vendosur t’i dërgojë në garë gjashtë nxënës, me paramendimin se do t’u pranohen vetëm dy projekte. Por, siç ka shpjeguar ai për EO, numri i nxënësve për garën është rritur, kur janë pranuar të katërtat projektet me të cilat shkolla ka konkurruar.

“Në shkollën tonë ekziston grupi i teknologëve bukur gjatë dhe janë shumë aktiv. Këtë vit, kemi aplikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në gara për robotikë me katër projekte. Që të katërtat janë pranuar dhe ne si shkollë jemi detyruar që të bëjmë kërkesë në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) dhe në ministri që të na hiqen shpenzimet”.

“Fillimisht kemi planifikuar për gjashtë nxënës dhe DKA-ja na ka premtuar për mbulimin e shpenzimeve për gjashtë nxënës. Për pjesën tjetër po presim nga Ministria. Prandaj edhe po kërkojmë mbështetje se këta nxënës e përfaqësojnë Kosovën, jo komunën e Lipjanit e as shkollën”.

“Niveli komunal na ka përkrahur për gjashtë nxënës, në mungesë të buxhetit. Mirëpo edhe ne si shkollë kemi të meta sepse nuk kemi planifikuar si duhet. Nuk e kemi ditë që do të pranohen të katra projektet, kemi menduar se do të pranohen vetëm dy. Na kanë thënë se do t’i mbulojnë shpenzimet për gjashtë persona por në momentin që rritet numri, nuk ka buxhet sepse nuk është planifikuar me kohë”, është shprehur Bahtiri.

Ai tutje ka treguar se garat e këtij lloji janë traditë për shkollën që drejton, duke përmendur një sërë prej tyre si dhe përkrahjen që kanë marrë nga komuna e Lipjanit për pjesëmarrjë në këto gara.

“Ne vazhdimisht marrim pjesë nëpër gara. Në vitin 2018 kemi marrë pjesë në ShBA ku të gjitha shpenzimet, diku rreth 18 mijë e 700 euro, janë mbuluar nga kuvendi komunal, konkretisht kryetari. Pastaj në Afrikën e Jugut, ministra ka paguar biletat për pesë nxënës ndërsa shpenzimet tjera i ka mbuluar komuna. Vazhdimisht marrim pjesë edhe në Tiranë dhe të gjitha shpenzimet na hiqen nga komuna. Këtë vit mbajmë Panairin e Gjuhës, Artit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe DKA i mbulon të gjitha shpenzimet, ku marrin pjesë të gjitha shkollat e Lipjanit”.

Ai ka hedhur poshtë raportimet se kjo shkollë nuk ka pasur mbështetjen e komunës.

“Për fund po e them se niveli komunal i Lipjanit vazhdimisht na përkrah dhe nuk është e vërtetë ajo qe nuk na përkrah”, përfundoi ai.

Arsimtari i TIK-ut në këtë shkollë, Hajriz Rashiti, i cili po udhëheq projektet e nxënësve, ka thënë se kanë kërkuar ndihmë në shumë vende, për pjesën e mbetur të financimit, por se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ai ka shpjeguar edhe idenë e njërit prej projekteve, i cili është pothuajse në përfundim, i quajtur “Qyteti Solar”.

Projekti përdor panele solare për krijimin e energjisë elektrike e cila më pas vë në lëvizje një tren, robot dhe anije.

“Do të shkojmë me katër projekte në ShBA. Njëri prej tyre është ku projekt që quhet ‘Qyteti Solar’. Kemi marrë pjesë në shumë gara. Në vitin 2011, në kuadër të USAID-it, kemi marrë pjesë në gara në gjithë Kosovën. Në vitin 2018, në ShBA, komuna na ka ndihmuar me pesë mijë dollarë. Në vitin 2019, në Kenia, ministria na ka hequr shpenzimet për pesë bileta, ndërsa komuna na kanë hequr të gjitha shpenzimet tjera. Edhe në Tiranë kemi shkuar me një autobus nxënësish”.

“Nuk kemi planifikuar siç duhet, prandaj kemi kërkuar ndihmë edhe në USAID, UNICEF, në Fondin e Behxhet Pacollit, Ministri të Arsimit e në komunë. S’kemi lënë vend pa kërkuar ndihmë”.

“Në fillim, DKA-ja ka ofruar përkrahje për gjashtë nxënës, por kemi aplikuar me katër projekte dhe kanë dalë tash më shumë nxënës. Janë gjithsej 11 nxënës e dy arsimtarë. Tash po paraqitet nevoja për t’u dyfishuar shuma”, është shprehur Rashiti.

Anisa Miftari, kryesuesja e grupit punues të nxënësve, ka shpjeguar idenë e projektit dhe sistemin mbi të cilin ai punon. Ajo është optimiste se projekti i tyre do të fitojë pasi që e paraqet situatën e vështirë të energjisë elektrike dhe jep një alternativë të krijimit të saj nga energjia diellore.

Të ngjashme