Nxënësit romë detyrohen të mësojnë boshnjakisht në mungesë të librave në gjuhën e tyre

Prishtinë | 13 Jan 2018 | 12:01 | Nga

Xhemiles nuk po i shërbejnë librat që ia siguron shteti. Kjo për shkak që ajo mëson në një gjuhë të cilën nuk e ka ditur para se të vinte në klasë të parë.

Përderisa sipas Ligjit për Arsim secili nxënës ka të drejtë të shkollohet në gjuhën amëtare, nxënësja e klasës së dytë është e obliguar të mësojë në gjuhën boshnjake.

Tetë vjeçarja në shtëpi flet gjuhën rome, por për t’u shkolluar, ajo është dashur ta mësojë një gjuhë të re.

Institucionet publike sigurojnë për secilin person mundësi të barabarta për t’u arsimuar, sipas aftësive dhe nevojave të veçanta të tij/saj. Kështu thuhet sipas ligjit, mirëpo ai nuk vlen për Xhemilen, e cila ka dy vite që mëson në një gjuhë që nuk e ka ditur paraprakisht.

“Nuk e kanë ditur gjuhën boshnjake, por e kanë mësuar prej fillimit” tha Bisera Bajrami, mësuese në shkollën fillore “Naim Frashëri”, për nxënësit e komunitetit rom të cilët mësojnë në gjuhë boshnjake .

Mësuesja tregon se këta nxënës romë, kanë vështërësi të shprehen saktë, pasi që nuk e kanë ditur gjuhën paraprakisht. “Normalisht se kanë vështërësi, por nxënësja në fjalë është shumë e zgjuar dhe ka përparuar shumë”, theksoi ajo.

Ajo tha se problem paraqesin edhe prindërit të cilët nuk mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në detyra, për shkak që nuk e dinë gjuhën boshnjake.

“ Është logjike se secili fëmijë duhet ta kryejë shkollën fillore në gjuhën amëtare” , deklaroi mësuesja.

Njëjtë mendon edhe drejtoresha e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë. Remzije Berisha thotë se fëmijët e komunitetit RAE në këtë shkollë janë të detyruar të vazhdojnë mësimin në gjuhën boshnjake ose shqipe. “Gjuha rome nuk është e përfshirë si lëndë primare, atë e kanë sekondare edhe pse është gjuha e tyre.”

Ajo thotë se një problem me të cilin ballafaqohen është edhe vështirësia për të gjetur literaturë në gjuhën rome. “Disa prej tyre paraqesin vështirësi në të mësuarit në gjuhën boshnjake, mirëpo mësimdhënësia që punon me ata fëmijë mundohet në forma të ndryshme të gjejë literaturë shtesë.”

Drejtoresha e shkollës thotë se në tekstet shkollore, nga klasa e parë deri në të nëntën nuk përmendet ndonjë kategori e komunitetit romë, ashkali ose egjiptas. Kështu nxënësit e këtij komuniteti, jo vetëm që janë të detyruar të mësojnë në gjuhë të huaj, por edhe nuk mësojnë për historinë e tyre.

E për integrimin e komunitetit RAE në sistemin arsimor, Gjyzel Shaljani, Këshilltare Politike në Kabinetin e Ministrit, ka thënë se Ministria e Arsimit bashkë me Qeverinë, ka plane strategjike.

Në kuadër të këtyre planeve është edhe promovimi i mësimit në gjuhën rome. “Për këtë qëllim, do të ofrohet, mësimi plotësues i gjuhës rome në të gjitha mjediset ku ekziston interesimi, sipas plan-programit dhe teksteve mësimore tanimë të aprovuara nga MASHT” thuhet në këtë strategji, shkruan Express.

Krahas përmbajtjes së këtyre planeve , nxënës të këtij komuniteti, akoma nuk mësojnë në gjuhë amëtare.

Në Kosovë, në arsimin fillor- të mesëm të ulët janë të regjistruar rreth njëmijë e dyqind nxënës. Ndërkohë që komunitetet e tjera pakicë në Kosovë: serbët, boshnjakët, turqit, kanë literaturë në gjuhën e tyre dhe mësojnë po në atë gjuhë.

Në Kosovë vlerësohet se jetojnë rreth 35-40 mijë pjesëtarë të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptas, nga mbi 100 mijë sa vlerësohet të kenë qenë para luftës. Shumë nga ta kanë ikur në shtetet perëndimore pas vitit 1999, ndërsa një numër i tyre gjendet i zhvendosur nëpër kampe në shtetet fqinje.

Ky tekst është shkruar për lëndën “Mediat e reja dhe portalet”. Autorë: Ardita Rashiti & Leonita Bajrami.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme