Dy lokalitete të rrafshit të Kosovës, përkatësisht Obiliqi dhe Dardhishta janë evidentuar më të ndoturit në nivel vendi nga grimcat e pluhurit PM10, së paku përgjatë tetë muajve të vitit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kurse Mitrovica dhe Drenasi kanë qenë të ndotura në së paku gjashtë muaj të vitit nga grimcat PM10 të pluhurit.
Këto janë të dhënat zyrtare që jep Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, e cila e nxjerr edhe kryeqytetin e Kosovës me ajrin e ndotur nga grimcat e pluhurit, në së paku katër muaj të vitit.
Këto të dhëna janë përfshirë në një raport, të cilin Agjencia e ka dërguar për shqyrtim edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në Komisionin parlamentar për mjedis dhe aty sqarohet se gjatë vitit 2017, nga të dhënat për matjen e përqendrimit të PM10(grimcat e pluhurit), është konstatuar se kishte tejkalime të vlerave mesatare të lejuara (VML), si mesatare mujore dhe vjetore.