James C. O’Brien i nominuar nga Presidenti Joe Biden si Koordinator për Politikat e Sanksioneve i tha Komisionit të Senatit Amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë se administrata amerikane me nxitjen e Kongresit, ka investuar burime të konsiderueshme për të hartuar dhe zbatuar sanksionet anti-korrupsion.
“Unë e kuptoj sesa të rëndësishme janë për ne sanksionet. Unë e kuptoj se është e qenësishme që ne të përforcojmë politikën e sanksioneve për t’i zbatuar ato plotësisht. Administrata jonë ka identifikuar njerëzit që do të jenë edhe në vijim objekt i sanksioneve. Së pari, sanksionet janë pjesë e strategjisë sonë. Ato janë mjete shumë të fuqishme dhe përdorimi ose kërcënimi nëpërmjet tyre është jashtëzakonisht efektiv në mbështetje të një strategjie koherente”, tha ai.
Jam i përkushtuar tha James C. Obrien, për të bërë gjithçka që ne të ruajmë dhe rrisim efektivitetin e sanksioneve.
“Çdo sanksion, sado i justifikuar mirë, duhet të mbështetet në analizën e alternativave, efekteve dhe mbështetjes nga partnerët tanë. Kjo kërkon që qëllimi i tij të kuptohet përtej qeverisë së SHBA-së, që ne të punojmë me qeveritë e tjera, që të realizohen objektivat e sanksioneve. Ne duhet të bëjmë më shumë për të kuptuar efektivitetin e sanksioneve të SHBA-së pasojat e tyre. Sanksionet mund të shërbejnë për shumë qëllime, dhe ne duhet të dimë se çfarë është qëllimi ynë dhe nëse e kemi arritur atë”, deklaroi Obrien.
Obrien theksoi përpara Senatit se sanksionet janë vendimtare për luftën kundër korrupsionit.
“Administrata jonë ka paraqitur një strategji të fuqishme për këtë, dhe Sekretari Blinken do të emërojë një drejtues të lartë në rang koordinatori për antikorrupsionin. Mezi pres që të punoj me të për të evidentuar aktorët e korruptuar, networkun e tyre, rrjetet që i ndihmojnë ato”, u shpreh ai.
Gjithsesi theksoi ai, duhet të jemi të kujdesshëm, të mos ndëshkojmë pa prova dhe të lëndojmë të pafajshmit.