Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mund t’i bllokojnë fqinjët në nismën për zhvillimin ekonomik, e sipas tij, kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do të përballet me pasoja.
Ai është shprehur se nëse liderët s’duan të ecin para në këtë drejtim, “atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse ata liderë janë të duhurit”.
“Askush s’ka të drejtë pengojë dikë për avancim pasi s’ka çështje dypalëshe të pazgjidhur, kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja, nëse një shtet do të presë të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse ata liderë janë të duhurit, secili lider e vëren rëndësinë për të avancuar në këtë drejtim”, ka thënë O’Brien.
Sipas zyrtarit të SHBA-së, secili lider i Ballkanit Perëndimor duhet të vërejë rëndësinë për të ecur drejt Bashkimit Evropian dhe zhvillimit rajonal.
“Në nivelin bazë flasim për lirinë e tregut që u lejon njerëzve e tregjeve të lëvizin lirshëm. SHBA-ja mbështet idenë, kemi shpenzuar 200 milionë euro për këtë rajon dhe do të mbetemi të përkushtuar në këtë, por jemi fokusuar që vendin ta përfshijmë në tregun e vet. Ekipi i Këshillit po bën punë të madhe, mendojmë të arrijmë edhe më shumë, kjo do të mundësojë që çdo shtet dhe qytetarë të saj të punojnë përtej kufijve, e kostot do të ulen për dyfish”, është shprehur ai.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me rëndësi për të janë shiritat e gjelbër. Ai thotë se do të jenë ndihmë e madhe për krijimin e një mjedisi biznesi më të mirë për qytetarët, por edhe ata që duan të investojnë në rajon.
“Kur flasim për tregun e përbashkët rajonal, jemi të hapur për gjitha idetë, të gatshëm për t’i realizuar ato dhe besojmë thellë se mund ta bëjmë”, tha Vuçiq.
Ai ka përmendur sërish të mirat që ka sjellë “Ballkani i Hapur”.