Obsesioni me shifra është ekonomi e propagandës, jo e rritjes së mirëqenies. Ato e flasin Kurtin, më parë se sa ky ekonominë. Edhe kur njerëzit vuajnë mbi supet e tyre jetën e shtrenjtë, shifrat flasin veç mrekulli e tejkalim të planeve.
Të dhënat thonë se mbi 40% e GDP-së së vitit të kaluar lidhen me të hyrat e diasporës, Qeveria ndërkaq na flet për mrekullinë e saj ekonomike; na flet për rritje të eksportit, por nuk tregon sa u rrit importi. Sot mashtroi mbi subvencionet për bujqësinë.
Para 1 ore Qeveria na tha se po e rritë subvencionimin e grurit për 216%, apo nga 150 euro në 470 euro. Bukur fort. Çfarë thonë mund të jetë e saktë, por problemi është prapë çfarë nuk thonë. Le t’i shohim shifrat që përbëjnë koston deri në produktin final. Plehu për hektar në vitin 2021 ka kushtuar 240 euro, në vitin 2022 kushton 624 euro. Fara në vitin 2021 ka kushtuar 132 euro, në vitin 2022 kushton 156 euro. Nafta në vitin 2021 kushtoi 60 euro, kurse një vit më pas kushton 109 euro. Korrja në vitin e kaluar kushtoi 100 euro, me çmimin aktual të naftës, pa llogaritur çfarë na pret, tash kushton 180 euro.
Për ta përmbledhur: Një hektar grurë nga mbjellja deri në korrje në vitin 2021 ka kushtuar 532 euro. Subvencioni ka qene 150 euro. Pra bujku ne vitin 2021 ka paguar 382 euro për hektar. Në vitin 2022 një hektar kushton 1095 euro. Subvencioni shtetit është 470 euro. Sot bujku për hektar paguan 625 euro. Apo 243 euro më shumë se vitin e kaluar edhe pas subvencionit të qeverisë.