OBSh-ja do t’i përditësojë udhëzimet për COVID-19 pas zbulimit të ilaçit që ul shkallën e vdekshmërisë

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 09:20 | Nga Ekonomia Online

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është duke punuar për përditësimin e udhëzimeve rreth trajtimit të personave të infektuar me koronavirus për t’i pasqyruar rezultatet e një testimi klinik, të cilat treguan se një ilaç i lirë mund t’i shpëtojë pacientët që ndodhen në gjendje të rëndë.

Sipas rezultateve të publikuara të martën, substanca e quajtur Deksametazon, e cila përdoret që nga vitet e gjashtëdhjeta për ta zvogëluar inflamacionin në sëmundjet si artriti, e zvogëlon shkallën e vdekshmërisë për rreth një të tretën te personat që janë në gjendje të rëndë për shkak të sëmundjes së re.

Udhëzimet e OBSh-së për trajtimin e personave të infektuar me koronavirusin e ri u kushtohen mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë. Me to jepen të dhënat më të reja për informimin e mjekëve rreth mënyrave më të mira të luftimit të sëmundjes në të gjitha fazat e saj.

Ndonëse rezultatet e studimit për Deksametazonin janë preliminare, autorët e hulumtimit thanë se kjo substancë duhet të bëhet menjëherë standarde gjatë trajtimit të pacientëve në gjendje të rëndë.

Për pacientët që janë duke u trajtuar me ventilator, ky ilaç e uli shkallën e vdekshmërisë për rreth një të tretën gjatë studimit, ndërsa për pacientët e trajtuar me oksigjenoterapi, shkalla e vdekshmërisë u ul për rreth një të pestën.

Të ngjashme