Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se varianti Omicron është raportuar në 89 shtte dhe se numri i rasteve është duke u dyfishuar për çdo 1.5 deri tri ditë në zonat me përhapje në komunitet.
Sipas kësaj organizate, varianti i ri është duke u përhapur shpejt në shtetet me nivel të lartë të imunitetit të popullsisë, por është e paqartë nëse kjo është për shkak të aftësisë së virusit për ta shmangur imunitetin, përhapjes së rritur të tij apo për shkak të të dyjave.
Agjencia e cilësoi Omicronin variant shqetësues më 26 nëntor, pak kohë pasi ishte zbuluar, dhe ende nuk dihen shumë gjëra rreth tij, përfshirë ashpërsinë e sëmundjes që e shkakton, shkruan The Guardian.
“Ende ka të dhëna të kufizuara për efikasitetin e vaksinës për Omicronin”, tha OBSh-ja, duke paralajmëruar se me rritjen kaq të shpejtë të numrit të rasteve, spitalet mund të stërngarkohen në disa vende.